Qëllohen me armë trafikantët me policinë në kufirin Shqipëri-Kosovë

Qëllohen me armë trafikantët me policinë në kufirin Shqipëri-Kosovë

Një ngjarje kriminale ka ndodhur në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës në Kukës, ku ka patur shkëmbim me armë zjarri mes policisë dhe trafikantëve të qenieve njerëzore.

Gazetarja e Klan News raporton se grupi i trafikantëve të qenieve njerëzore janë shtetas sirianë të cilët qëlluan me armë ndaj policisë.

Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Policia ka mundur që të arrestojë 6 shtetas sirianë, ndërsa një i 7 ka mundur që të largohet. Mësohet se trafikantët kanë qenë të armatosur dhe hapën zjarr ndaj policisë shqiptare pasi autoritetet u vunë në ndjekje të tyre.

Në njoftimin zyrtar për mediat, Policia e Kukësit ka bërë të ditur se ka qenë në një operacion të koduar “Strukturimi” për të goditur një grup të strukturuar kriminal që trafikonte emigrantë nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi me destinacion vendet e BE-së.

Gjatë aksionit, grupi i trafikantëve i përbërë nga shtetas të huaj sirianë dhe algjerinë, qëlluan me armë ndaj uniformave blu. Pas ndjekjes, u arrestuan 6 prej tyre; 5 sirianë dhe 1 algjerian.

Të arrestuarit janë: Ayoub Bahhoo 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe Muhaned Nasir 25 vjeç, Nagid Alabdahah 20 vjeç, Muhamed Shehab 21 vjeç,  Mohamed Radaëin 20 vjeç dhe Rabii Lqadi 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane.

NJOFTIMI I POLICISË SË KUKËSIT:

Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të PKK Morinë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një grup të mirëstrukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte këtë veprimtari kriminale, kundrejt fitimeve, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Strukturimi”.

Në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huaj që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve, që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.

Menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës, dhe pas disa orësh ndjekje, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e 6 prej tyre.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shtetasit :

Ayoub Bahhoo 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe Muhaned Nasir 25 vjeç, Nagid Alabdahah 20 vjeç, Muhamed Shehab 21 vjeç,  Mohamed Radawin 20 vjeç dhe Rabii Lqadi 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim shtetasi Sultan Grimashi 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.

Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Related Articles