Njëri nga transferet më të vlerësuara te Ballkani, Qëndrim Zyba ka nisur t’i jap sinjalet pozitive duke dëshmuar se investimi në të nga drejtuesit e Ballkanit është shumë i qëlluar.
Talenti suharekas, ishte vendimtar në fitoren e kampionëve në fuqi në fundjavë ndaj Dukagjinit kur shënoi një gol të bukur dhe kjo sikur tregon që ai tashmë e ka kapur formën e mirë edhe në ambientin e ri.
Zyba edicionin e kaluar ishte pjesë e Prishtinës ku shkëlqeu në fushë dhe pikërisht këtë të diel do të zbres në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” por këtë herë si një kërcënim i madh.
21-vjeçari është i kënaqur e përformancën që ka treguar skuadra si në ndeshjet kampionale ashtu edhe në ato ndërkombëtare dhe ai pret vazhdimësi.
“Vijmë pas një suksesi që kemi bërë në Evropë dhe për këtë jemi të lumtur shumë. Të gjithë shpresojmë të kemi paraqitje sa më të mira edhe në fazën grupeve. Ndeshjet në kampionat do t’i marrim një nga një pasi çdo ndeshje e ka rendësin e vetë”, vlerësoi Zyba për Demokracia.
Prishtina e ka nisur kampionatin mirë ku nga tri ndeshje mori dy fitore dhe një barazim, derisa Ballkani ashtu siç është pritur në dy takimet e para më Albi Mall Superligë ka marrë dy fitore dhe këtë vazhdimësi kërkon ta ndjek edhe në ndeshjet e radhës.
“Ndeshja e së dielës me Prishtinën është më e veçantë për mua, sepse luaj ndaj ish-skuadrës time dhe do të jetë një derbi. Kam respekt për këtë skuadër por unë do të jap më të mirë këtë herë për Ballkanin. Nga “Xhebrailat” pres si çdo ndeshje tjetër të na përkrahin sa më shumë sepse ata janë lojtari yni i 12-të. Nga kjo ndeshje do të japim maksimumin që të kthemi me pikë të plota nga Prishtina”, përfundoi Qëndrim Zyba.
Ndeshja Prishtina – Ballkani luhet të dielën nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe është derbi i javës së 5-të në elitën e futbollit kosovar.