Qentë endacak janë kudo nëpër Prishtinë dhe së bashku me prezencën e tyre është edhe frika tek qytetarë të shumtë.
Mungesa e strehimit është një problem serioz sidomos gjatë sezonit të dimrit, të cilët shpesh herë cenojnë edhe sigurinë e personave, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Një nxënëse që ishte sulmuar nga qentë endacak me 14 janar të këtij viti kishte përfunduar në emergjencë.
Vogëlushja thotë se ndjehet e frikësuar dhe e traumatizuar, por shpreson të jetë viktima e fundit e qenve.
Qytetarët shprehin shqetësimet e tyre pasi qentë tashmë janë me shumicë edhe në sheshet e Prishtinës.
“Ka rrezik pasi ata e duan ushqimin. Komuna apo shteti duhet të kujdeset për këtë gjë”, deklaron një qytetar i Prishtinës.
Një tjetër qytetarë thotë se duhet të bëhet regjistrimi i qenve dhe vendosja në një vend të sigurt.
“Asnjëherë nuk ka pasur aq shumë qen endacak në Prishtinë”, deklaroi i moshuari.
Për këtë çështje kryetari i Prishtinës, Përparim Rama thotë se qysh në ditët e para që ka marrë mandatin është marrë me problemin.
Ai thotë se të martën ka nënshkruar kontratën që merret me trajtimin e qenve në disa faza.
Derisa Lamir Thaçi nga Agjencia e Veterinës thotë se te gjitha komunat duhet në mënyrë uniforme të trajtojnë qentë endacak./Gazeta Enigma/