Qeveria e Serbisë: Të premten i kërkojmë NATO-s ta lejojë kthimin e ushtrisë së saj në Kosovë

Qeveria e Serbisë: Të premten i kërkojmë NATO-s ta lejojë kthimin e ushtrisë së saj në Kosovë

Qeveria e Serbisë ka miratuar vendimin që t’i kërkojë NATO-s kthimin e ushtrisë së Serbisë në Kosovë, ka bërë të ditur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas mbledhjes së Qeverisë të enjten në mbrëmje.

Ai ka thënë se kërkesa do t’i dorëzohet KFOR-it qysh në mëngjesin e së premtes.

“Vendimi është marrë. Nesër në mëngjes, personalisht do ta dërgojmë te komandanti i KFOR-it kërkesën që një numër i caktuar, në qindra deri në mijëra, i forcave tona të kthehet në Kosovë”, ka thënë pas mbledhjes, Vuçiqi.

Vuçiqi pati arsyetuar këtë kërkesë duke u bazuar “në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Ai pati thënë ditë më parë se e di që një kërkesë e tillë megjithatë s’do të pranohet.

Kërkesa e Serbisë vjen pak ditë pas nisjes së tensioneve në veri të Kosovës dhe në ditën kur Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas Vuçiqit, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nënkupton edhe prishje e “Marrëveshjes së Washingtonit” që për një vit ia ndaloi Kosovës aplikimin për pranim në organizata ndërkombëtare.

Pas paralajmërimit të Vuçiqit për kthim të ushtrisë së Serbisë në Kosovë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e kishte mohuar kategorikisht se një gjë të tillë mund të ndodhte, duke thënë se “Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA-ja”.

Related Articles