Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të një banese të konfiskuar për 11-vjeçaren, e cila kishte qenë viktimë e trafikimit dhe dhunimit, dhe familjen e saj.
Kryeministri Albin Kurti tha se me kjo banesë është me sipërfaqe 100 metra katrorë dhe se me këtë veprim dëshmojnë përkushtimin për t’i mbështetur viktimat.
“Komisioni rekomandues i Ministrisë së Drejtësisë ka rekomanduar dhënien në shfrytëzim të banesës së konfiskuar prej 100 metra katrorë për viktimën e trafikimit dhe dhunimit dhe familjen e saj, e njohur edhe si rasti I 11-vjeçares. Përmes veprimeve të tilla ne edhe njëherë dëshmojmë përkushtimin tonë për mbështetjen e viktimave, veçanarisht të viktimave të dhunës”, tha Kurti.
Ndërkohë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se banesa do t’i jepet në shfrytëzim kësaj familje për një periudhë 5-vjeçare.
Ndryshe, rasti i dhunimit të 11-vjeçares kishte nxitur reagim të shoqërisë, teksa në Kosovë ishin mbajtur disa protesta, ku u kërkua “dënim meritor” për personat e dyshuar.
Për këtë rast kanë dhënë dorëheqje drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe Ali Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.