Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro, 8.7 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti, apo 220 milionë euro më shumë.
Nga ky buxhet, për herë të parë, sipas kryeministrit Albin Kurti, do të ndahen mbi 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës. Ai ka thënë se synimi është që brenda mandatit të rritet përqindja e ndarjes për Ushtrinë deri në 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, siç kërkon standardi i NATO-s.
Kryeministri Kurti në fjalimin e tij në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se “këso buxheti s’ka pasur kurrë Kosova”.
Ai ka thënë se me këto mjete do të niset ndërtimi i 50 çerdheve në gjithë vendin, 45 milionë euro do të ndahen për të mbështetur lehonat dhe shtesat për fëmijë, s’do të ketë pensione nën 100 euro e do të ndahen 50 milionë euro për borxhet nga shpronësimet, e 40 milionë euro për Trepçën dhe Telekomin.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se objektivat janë ringjallja ekonomike, riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe përkrahja e punësimit.
“Projektbuxheti i vitit 2020 ka për qëllim konsolidimin e ringjalljes ekonomike pas COVID-19, sigurimin e qëndrueshmërisë së financave publike, riorientimin e ekonmosië drejt prodhimit dhe eksportit dhe përkrahjen e punësimit të zhvillimit të qëndrueshëm. Si tërësi buxheti i vitit 2022 pritet të arrijë vlerën e 2,748,000,000 duke shënuar një rritje prej 8,7 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti”.
/Gazeta Enigma/