Edhe pse Kosova tash e disa muaj është pa Qeveri me mandat të plotë, ministrat e zëvendësministrat në detyrë takimet e mbledhjet po i vazhdojnë njejtë, ndonëse një gjë e tillë po vlerësohet si joligjore dhe antikushtetuese, shkruan Gazeta Enigma.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të martën zhvilloi takim trepalësh në Bruksel me emisarin e Bashkimit Evropian, Peter Sorensen dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, lidhur me procesin e dialogut mes dy shteteve, shkruan Gazeta Enigma.
Përfaqësimi i Bislimit në Bruksel, pasi i ka përfunduar mandati, është vlerësuar si antikushtetues nga LDK.
Kjo parti përmes një reagimi për media theksuan se Bislimi nuk ka legjitimitet demokratik të përfaqësojë Kosovën në dialog me Serbinë, pasi që i ka përfunduar mandati pas certifikimit të zgjedhjeve më 9 shkurt.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje takimin e sotëm trepalësh në Bruksel në mes të zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petkoviç dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi z. Peter Sorensen. LDK konsideron se z. Bislimi nuk gëzon asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë. Mandati i ish-qeverisë ku z. Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ish-kryeministri Kurti tanimë ka përfunduar me certifikimin e rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit. Andaj, z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në procesin e dialogut,” thuhej në reagim.
Ndërkohë, LDK potencoi se “tentimi i Bislimit për ta futur Kosovën në obligime, pa pasur mandat legjitim e demokratik, është i papranueshëm, antikushtetues dhe joligjor.”
“Takimet në Bruksel për dialogun Kosovë – Serbi, duhet të vazhdojnë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, sepse tani Bislimi nuk ka mandat legjitim.”
Njësoj vlerëson edhe partia tjetër opozitare, AAK. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ritheksoi se takimi i Bislimit në Bruksel me emisarin e BE-së dhe kryenegociatorin Petkoviq është jolegjitim.
Kadriaj potencoi se takimet e nivelit të tillë duhet të vazhdojnë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.
“Takimi i Bislimit në Bruksel me emisarin e Bashkimit Evropian dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq, është jolegjitim. Kjo Qeveri për katër vite ose pesë vite e gjysmë mandat, Qeveria Kurti 1 dhe Qeveria Kurti 2, sikur ta kishin fokus çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, do ta kishin zgjidhur. Këta kanë bërë dialog pa parime, nuk e kanë respektuar Kushtetutën. Qeveria Kurti nuk është marrë me sovranitetin dhe integritetin territorial. Ata kanë bërë koncesione siç është marrëveshja e Asociacionit dhe falja e tokës në Manastirin e Deçanit, në formën më të keqe të mundshme dhe duke mos marrë Kosova asgjë në këmbim të këtyre dy koncesioneve që i ka bërë Lëvizja Vetëvendosje”, theksoi ajo.
“Tani nuk kanë legjitimitet sepse janë Qeveri në dorëheqje, dhe ndoshta është dashur që procesi i dialogut Kosovë – Serbi të vazhdojë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës,” u shpreh Kadriaj për Gazetën Enigma.
“Këto takime që po i zhvillon Bislimi janë informues por askund marrëveshje të reja me Serbinë”
Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, deklaroi se takimet e tilla në Bruksel janë vetëm të tipit informues ose shkëmbime të pikëpamjeve.
Burjani potencon se marrëveshje të reja ose negociata me Serbinë nuk mund të ketë sepse Qeveria momentalisht nuk ka mandat valid.
“Takime formale mund të ketë, por, jo edhe marrëveshje të reja ose negociata me Serbinë, sepse kjo Qeveri nuk ka më mandat valid për të udhëhequr bisedime të drejtpërdrejta. Sa i përket takimit me emisarin Sorensen, ky takim mund të jetë më shumë njoftues sesa dialogues apo për të nxjerrë vendim për ndonjë gjë ose për të procesuar diçka në Gjykatë Kushtetuese, sepse takime të nivelit të lartë nuk mund të ketë deri në themelimin e Qeverisë së re. Takime me Sorensen, e Qeverive perëndimore ose përgjithësisht ndërkombëtare do të jenë të karakterit informues. Në këtë drejtim kjo Qeveri në detyrë vazhdon të nxjerrë vendime dhe se këto vendime janë të plotfuqishme deri në dërgimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese, ku pastaj Gjykata do t’i hedhë poshtë,” përfundoi Burjani për Gazetën Enigma.
“Takimi i Bislimit në Bruksel – takim ilegal”
Tutje, analisti politik, Avni Arifi, e ka cilësuar takimin e zëvendëskryeministrit Bislimi në Bruksel me Sorensen dhe Petkoviq – takim ilegal i cili ka ndodhur pikërisht kur u arrestua ish-pjesëtari i policisë së Kosovës në Serbi.
“Takimi ilegal i Bislimit me Petkoviqin po ndodh pikërisht kur Serbia e ka arrestu Arbnor Spahiun, një polic që të paktën akuzën e ka se ka dalë ballë për ballë me një grup terrorist në Banjskë, terroristë që i ka dënu krejt Bashkësia Ndërkombëtare. Me e arrestu një polic që ka mbrojt vendin prej terroristëve, kjo është një skandal i madh që e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë,” u shpreh Arifi.
Analisti ka kritikuar presidenten, kryeministrin dhe ministren e Jashtme, për ‘heshtjen’ që kanë treguar lidhur me këtë rast.
Sipas tij, është “turp” takimi i Bislimit me Petkoviqin e ‘asnjë zë’ për mbrojtjen ndaj ish-policit Arbnor Spahiu.
“Në vend se me dalë me zë të fortë me i mbrojt, Kurti e dërgon Bislimin ta takojë Petkoviqin pa kurrfarë legjitimiteti, e e poshtëron Kosovën. Ky është një turp që nuk guxon me u mbajt msheftë!”, përfundoi Arifi. /Gazeta Enigma/