Serbia e ka shpallur ditë zie kombëtare të mërkurën e 27 shtatorit.
Në seancën e sotme të jashtëzakonshme, Qeveria e Republikës së Serbisë shpalli ditë zie të mërkurën, me rastin e vdekjes së katër serbëve të dyshuar për vepra terroriste në Kosovë.
Siç thuhet në njoftimin e qeverisë serbe, kërkohet nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike “që programin e tyre ta përshtatin me Ditën e Zisë të mërkurën, më 27 shtator, dhe në këtë mënyrë t’i bëjnë respekt viktimave në Kosovë”.
Edhe Lista Serbe, parti politike serbe në Kosovë, ka shpallur ditë zie në komunat e banuara me shumicë serbe.
“Në zonat me shumicë serbe në Kosovë, 26, 27 dhe 28 shtator janë shpallur ditë zie për vdekjen e bashkëqytetarëve tanë në një ngjarje tragjike në Banjskë të komunës së Zveçanit”, ka kumtuar sot Lista Serbe, transmeton Paparaci.
Në kumtesë pretendohet se do të anulohen të gjitha ngjarjet argëtuese të organizuara nga “organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale” në komunat me shumicë serbe në Kosovë.