Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në prezantimin e qasjes së Qeverisë së Kosovës për zvogëlimin e barrës administrative për qytetarë dhe biznese.
Gjatë këtij takimi ka folur edhe për strategjinë kombëtare të zhvillimit dhe për strategjinë e re të reformës së administratës për të vendosur qartësi dhe llogaridhënie.
Tutje ai ka potencuar se reforma e administratës publike është primare për Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, në atë mënyrë të ndërtimit të një mjedisi më të mirë e të bërit biznes dhe lehtësimin e barrës administrative për qytetarët.
“Qëllimi i këtij takimi është që nevojave të komunitet të biznesit dhe qytetarëve, ne si Qeveri t’i përgjigjemi në mënyrën më të mirë”, ka thënë Bislimi.
Ndërsa, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, dhe Administratës Publike, Bardhyl Dobra tha se reforma e administratës publike është më se e domosdoshme, dhe shtoi se dikasteri në fjalë ka filluar të ndërmarrin një sërë reformash në këtë fushë në aspektin legjislativ.
Ai tha se një prej këtyre reformash në aspektin ligjor është ligji për procedurat e përgjithshme për lehtësimin e jetës së të gjithë qytetarëve. Derisa shtoi se përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe shërbimeve do të bëhet përmes digjitalizimit. /Gazeta Enigma/.