QUINT-i e BE-ja i reagojnë Qeverisë Kurti për shpronësimet në veri

QUINT-i e BE-ja i reagojnë Qeverisë Kurti për shpronësimet në veri

Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, kanë shprehur keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës që të finalizohet shpronësimi i mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në reagimin e tyre thuhet se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret gjatë procesit të shpronësimit.

“Disa nga misionet tona kishin ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve juridikë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, duke treguar se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet në reagim.

“Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”.

“Është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe mbajtësve të interesit të respektohen plotësisht”.

“Më vete, ne kemi ndarë shqetësimet tona me Qeverinë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit dhe kemi inkurajuar qeverinë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat përpara se ta miratojë atë”.

Ata inkurajojnë qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive të gjalla dhe demokratike.

“Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë”.

Related Articles