Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me rastin e 7-vjetorit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit përsëritën thirrjen për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e ligjshëm të tokës së këtij manastiri.
Në deklaratë u potencua se sundimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike.
“Ne jemi të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës. Sundimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejmë në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vonesa e mëtejme është vetëm pengesë për këtë përparim.” , u bë e ditur në deklaratën për media.
Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë.