Kosova kohëve të fundit ka pasur një rritje enorme të rasteve pozitive me COVID-19, shkruan Gazeta Enigma.
Grumbullimi i madh i qytetarëve në ambiente të mbyllura ka ndikuar në shtimin e rasteve me COVID-19.
E në anën tjetër Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik vazhdimisht ka bërë thirrje që qytetarët të imunizohen me vaksinat kundër koronavirusit në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre.
Por jo të gjithë qytetarët kanë mendimin e njëjtë me IKShPK-në. Disa nga ta thonë se janë vaksinuar për ta mbrojtur shëndetin e tyre, ndërsa disa të tjerë kanë thënë se janë vaksinuar me tri doza por që nuk kanë pasur efekt.
Arbnora Spahiu-Jakupi, qytetare nga Gjilani në një prononcim për Gazetën Enigma ka thënë se ajo është vaksinuar vetëm me dy doza kundër COVID-19.
‘’Po jam vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër COVID-19. Pastaj ka pasur rënie të rasteve dhe nuk jam vaksinuar me dozën e tretë dhe të katërt”, tha ajo për Enigmën.
Tutje ajo ka shtuar se “edhe pse ka rritje të rasteve nuk e kamë më ndërmend të vaksinohem me dozat tjera pasi që ka raste që janë imunizuar me të gjitha dozat dhe prapë janë infektuar me COVID-19”.
Sipas saj vaksinimi me dy e më shumë doza të kësaj vaksine ose mos vaksinimi janë e drejt e gjithsecilit të vendosin se çfarë të bëjnë për mbrojtjen e shëndetit të tyre.
“Vaksinimi në asnjë kohë pandemie në Kosovë nuk ka qenë obligative, ndoshta kjo edhe ka bërë që të kemi raste që ende ka që nuk është imunizuar me asnjë vaksinë kundër COVID-19, por gjithsesi kjo është e drejt e çdo personi se sit ë veproj për mbrojtjen e shëndetit të tyre”, tha Spahiu-Jakupi për Gazetën Enigma.
Ndërsa Lumturije Hyseni-Jashari, qytetare nga Ferizaj në një përgjigje për Gazetën Enigma tha se ajo është vaksinuar me tri doza të vaksinës kundër COVID-it.
“Jam vaksinuar me tri doza të vaksinë anti-COVID, por nuk janë të sakta ato që thuhen nga persona të ndryshëm në lidhje me këtë çështje”, tha Hyseni-Jashari.
Tutje ajo ka shtuar se “fjalët që thuhen rreth shtatzënisë, se personat që vaksinohen me këtë vaksinë nuk mund të mbesin shtatzëna nuk janë aspak të vërteta”.
“Por edhe që vaksinohesh me tri vaksina dhe nuk të bien virusi rren është, se t’bjen dhe jo vetëm një herë, por që me të mundu të mundon më pak”, tha ajo për Gazetën Enigma.
Kujtojmë se në vendin tonë 7 mijë e 399 raste janë aktive me COVID-19.
Vlen të theksohet se deri më tani numri total i dozave të administruara është afër 2 milionit. /Gazeta Enigma/