Liderët çekë janë pajtuar për t’iu lejuar qytetarëve të shtetit të luftojnë në anën e Ukrainës kundër pushtimit rus, pa u përballur me pasoja.
Kryeministri çek, Petr Fiala ka thënë se ka biseduar me presidentin e shtetit, Millosh Zeman, i cili është pajtuar për të falur individët në raste të tilla.
Shtetasit e Republikës Çeke zakonisht e kanë të ndaluar që të shërbejnë për një ushtri të huaj.
Fiala ka thënë se ligji për këtë çështje nuk do të rishikohet.
Presidenti ukrainas, Volodymr Zelensky, u ka bërë thirrje evropianëve me përvojë ushtarake që të mbështesin Kievin kundër pushtimit rus.
Rreth 400 vullnetarë kanë kontaktuar autoritetet çeke, duke kërkuar përjashtim nga rregulli.
Republika Çeke është anëtare e NATO-s prej vitit 1999 dhe është më pak se 400 kilometra larg Ukrainës.