Qytetarët nga Lugina kanë filluar të paisen me tabela edhe në Komunën e Gjilanit, kjo pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që mos të lejojë hyrjen në Kosovë të të gjitha automjeteve me targa të Serbisë, shkruan Gazeta Enigma.
Nga e marta qytetarët janë pajisur me leje të përkohshme për targa në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.
Pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, MPB ka njoftuar qytetarët se përveç mundësisë së pajisjes së tyre me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës në të gjitha pikat kufitare, nga e marta në mesdite mund të pajisjen edhe në të gjitha qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Republikën e Kosovës.
Veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
E gjithë kjo krijoi pakënaqësi të serbëve, të cilët protestuan gjatë gjithë ditës së hënë duke kundërshtuar këtë vendim.