Milan Radoijçiq, i cili në shkurt ishte arratisur nga Policia e Kosovës, së fundmi ka publikuar një video ku tregon se është brenda territorit të Kosovës, teksa dërgon mesazhe kërcënuese dhe nga njëra anë askush nga institucionet e sigurisë së Kosovës nuk reagon, shkruan GazetaEngima.
Radoijçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Përderisa e ka realizuar videon Radoijçiq, shfaqet krenarë teksa tregon se gjendet në Kosovë.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, thotë Radoijçiq.
Radoijçiq më 3 shkurt ishte arratisur nga Policia e Kosovës, në pikën kufitare në Bërnjak. Policia atëbotë deklaroi se më 3 shkurt, Radoiçiqit i kishin kërkuar që të parkonte veturën, në mënyrë që të kryeheshin kontrollet policore, por ai ishte larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë. Lidhur me këtë ngjarje, tre zyrtarë policorë të Kosovës ishin suspenduar nga puna.
Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, e ka konfirmuar se urdhërarresti ndaj Radoiçiqit, lidhur me rastin “Brezovica”, është ende në fuqi.
Por, Maloku shpreh dyshime për kohën kur është realizuar kjo video.
“Autoritetet duhet ta arrestojnë atë. Ai normalisht ka mundur të vijë ta bëjë një postim dhe të dalë [nga territori i Kosovës] ose të ketë një incizim të mëhershëm dhe ta lëshojë dhe të krijojë ndonjë ndjenjë te serbët për qëllime politike. Unë as që e besoj që ka qenë [në Kosovë], por megjithatë u takon rrugëve të Qeverisë që t’i verifikojnë ato të dhëna”, thotë Maloku.
Maloku deklaron se nuk beson që Radoijçiqi mund të hyjë në Kosovë përmes pikëkalimeve të rregullta kufitare, por vetëm përmes rrugëve ilegale.
Kurse drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, beson se Milan Radoijçiq u është drejtuar drejtpërdrejt institucioneve të Kosovës me një video-mesazh me qëllim që t’u bëjë të ditur se ai ende ka lidhje, përmes së cilave mund të hyjë në territorin e Kosovës dhe të kontrollojë grupe kriminele në veri.
“Ky është mesazhi i parë që ka dashur t’i dërgojë Kosovës, Serbisë dhe komunitetit ndërkombëtar. Nga ana tjetër, ai është edhe ndër individët që janë në listën e zezë amerikane, të lidhur me aktivitete kriminale dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Pra, po tenton të thotë se institucionet e Kosovës nuk i kanë mbyllur të gjitha rrugët alternative në veri, ky është mesazh edhe për Policinë e Kosovës”, ka thënë Miftaraj.
Për këtë rast Gazeta Enigma, ka kontaktuar me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, i cili njëkohësisht është anëtarë i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Sipas Qunit, ky veprim nga Radoijçiq, është bërë me qëllim të shkaktimit të tensioneve ndëretnike, ku Beogradi t’a shfrytëzojë tensionimin e të shëndrrohet në viktimizues, duke i përdorur qytetarët serb të Kosovës, si viktima.
“Edhe kësaj radhe, si çdoherë tjetër, kur në agjendat e qendrave të vendimmarrjes trajtohet e ardhmja e sigurt e Kosovës, nga Beogradi lansohen veprime si pjesë të luftës speciale, me protagonist tashmë të njohur me të kaluar kriminale, të cilët kanë dëgjueshmëri të plotë ndaj eprorëve të tyre, pikërisht në Beograd. Ata e kanë për detyrë të shkaktojnë incidente, me qëllim të shkaktimit të tensioneve ndëretnike, nga ku pastaj, Beogradi, nga sponsorizues i tensioneve, synon të shndërrohet në viktimizues, duke i përdorur qytetarët serb të Kosovës si viktima”, u shpreh Quni.
Gjithashtu deputeti i LDK-së, apeloi që qytetarët serb të Kosovës, të mos bien pre e provokimeve nga bandat që janë pro politikës së vjetër në Beograd, raporton GazetaEnigma.
“Sidoqoftë, me këtë akt po sfidohen edhe organizatat, agjencionet dhe institucionet përgjegjëse për sundimin e rendit dhe ligjit, të cilat do të duhej me profesionalizëm të sjellin para organeve të drejtësisë secilin qytetar ndaj të cilit ka një flet arrest. Me këtë rast, dua të bëj apel që qytetarët serb të Kosovës, të mos të bien në grackën e banditëve që i përgjigjen politikës së vjetër e të keqe të eprorëve tyre në Beograd. Të angazhohemi të gjithë së bashku për jetë të mirë e prosperuese për të gjithë, pa përjashtim”, tha Quni për Gazetën Enigma.
Ndërsa Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, për Gazetën Enigma, theksoi se prezenca e personit më të kërkuar në Kosovë, është shumë shqetësuese pasi që deri tani organet e ndjekjes nuk e kanë arrestuar për veprat e ndryshme penale, vepra të cilat arrijnë deri tek cenimi i sigurisë nacionale, sipas tij rrugët ilegale përmes të cilave ka mundur të hyjë Radoijçiqi.
“Prezenca e personit më të kërkuar në Kosovë , nënkryetarit të Listes Serbe në territorin e Kosovës, është shetësuse për faktin që deri më tani organet e ndjekjes nuk kanë mund të arrestojnë dhe ta vendosin para drejtësise për veprat të ndryshme penale të cilat mbrin deri te cenimi i sigurisë nacionale si dhe krimit të organizuar.
“Pra video e publikuar nga medium serb ku shihet i apostrofuari duhet të analizohet se kur është bërë video në cilën periudh por edhe ana tjetër dihet që rrugët ilegale në veri të vendit është problem të monitorohen në aspektin statik dhe personi në fjalë ka gjithë mekanizmin e tij kriminal strukturuar në dispozicion për të gjetur depërtim në territorin e vendit”.
‘Është me rëndesi që Milani nuk ka tentuar të hyjë në qytetin e Mitrovicës nga frika që mos po indetifikohet nga organet e sigurisë të cilet janë bukur aktive dhe prezente në atë pjesë por ka përzgjedhur që të qendrojë sipas videos në Leposaviq dhe atë jo në qytet por në pjesen malore dhe kjo po jep një mesazh që nenkryetari i këtij subjekti politik e din që në momentin që levizë në qytet do mund të arrestohet dhe të vihet para drejtësise”, u shpreh Shala.
Shala deklaroi se për këtë veprim Qeveria e Kosovs, Kuvendi dhe Komisioni Zgjedhor, duhet të ndërmarrin masa ndaj tij përderisa ai kërkohet nga organet e sigurisë për cenim të sigurisë nacionale, shkruan Gazeta Enigma.
“Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me kuvendin e Kosovës por edhe me Komisionin Zgjedhor duhet të marrin veprime konkrete të përjashtimit të këtij subjekti politik nga prezenca publike në jetën politike deri sa nënkryetari është një person që kërkohet nga organet e sigurise për cenim të sigurisë nacionale”.
“Presioni politik duhet të mbështetet nga të gjithë akteret relevant politik në kuvend që njëherë e përgjithëmon mos ti jepet mundësi askujt që të fshihet nga ndjekja penale me arsyetim të ndonjë pozicioni politik që mund të ketë. Mos të harrojm edhe një argument tejet të rëndësishem është dhe mbetet që këtë person e mbështet qeveria e Serbisë edhe përmes mekanizmit të sigurisë së Beogradit që gjithmon tentojnë që të kontrollojnë dhe determinojnë sigurin dhe proceset e brendshem në Kosovë”, përfundoi Shala.
Ndërkaq nga Policia e Kosovës, nuk kemi marrë asnjë përgjigje lidhur me këtë çështje.
Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, ka folur për videon e Milan Radojçiqit, i cili tha se ka ardhur në Kosovë.
Zyba “thumboi”, kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili një herë e pati pritur Radojçiqin në zyrën e tij sa ishte kryeministër.
“Prej takimeve e pritjeve formale në Qeverinë e Kosovës te shfaqjet prej ilegali nëpër male, kjo, po që flet shumë”.
Edhe deputeti Arbër Rexhaj, nga VV, ka reaguar rreth kësaj video, ka thënë se Radojiçiq ose dëshiron të martirizohet ose të arrestohet, dhe thotë se njërën nga këto gjëra Radojiçiq dëshiron ta bëjë duke nisur një kryengritje të serbëve.
“Ky ose po don të martirizohet, ose të arrestohet, ose të nis kryengritje të serbëve ku ai e përjeton një nga dy të parat”, është shprehur Rexhaj.
Ndërsa politikani serb Miroslav Paroviq, e ka komentuar videon nga Radoijçiq, ku thotë se kjo është logjikë e viteve të 90-ta.
“Kjo logjikë e viteve 90-ta në të cilën ‘heronjtë’ të ndryshëm si Zheljko Razhnatoviq – Arkan bënin deklarata të forta për mbrojtjen e serbëve, të tillët kur na kanë mbrojtur aty më nuk kemi ekzistuar”, thotë Paroviq.
Ai shton se këto mesazhe propaganduese e përforcojnë Vuçiqin dhe organizatën e tij kriminale.
“I bëj thirrje Vuçiqit që të mos i bëjë ato klipe për rrjetet sociale dhe si masë të propagandës, do të dëmtonte interesat serbe. Në këtë mënyrë, duke shfaqur publikisht njerëzit me biografi të dyshimta dhe duke i promovuar ata si heronj kombëtarë do ta përforconte besimin e Vuçiqit, në parim, vetëm po mbron organizatën e tij mafioze dhe po dëshmon se ai është i gatshëm t’iu nënshtrohet atyre”, shton ai.
Ndër të tjera presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka mbrojtur publikisht Milan Radoiçiqin në disa raste, kur autoritetet e Kosovës po e hetonin atë.
Ndërkaq, video-mesazhi i Radoiçiqit u publikua në kohën kur autoritetet nga Serbia po reagojnë ashpër ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket dokumenteve personale dhe për riregjistrimin e veturave me targat e qyteteve në Kosovë që lëshohen nga autoritetet e Serbisë, të cilat Kosova kërkon që të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës), shkruan GazetaEnigma.
Kujtojmë se sipas Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit (OFAC), përveç Veselinoviqit në grupin e krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovë sa janë edhe i vëllai Zvonkos, Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radoiçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq. / GazetaEnigma
VIDEO: