Në emër të KQZ-së, kryesuesi Kreshnik Radoniqi u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote, që ta realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese.
“Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ftojmë të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit. Pjesëmarrja juaj është e një rëndësie të veçantë, andaj ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e këtij procesi”, tha Radoniqi.
Më tej, Radoniqi u bëri apel të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit që të përkujdesen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që do të jenë të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve, që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësish”, tha Radoniqi.
Radoniqi kujtoi se me qëllim të ruajtjes së integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, të cilat do të jenë të pranishme dhe të angazhuara me ekipet e tyre në të gjitha komunat e vendit, për të siguruar një proces zgjedhor të qetë, të drejtë dhe të sigurt, si dhe kujtoi se KQZ është në kontakt me KEDS-in për qëllimin e furnizimit me energji të qendrave të votimit.
Në fund, Radoniqi u bëri thirrje shtetasve të Kosovës që janë regjistruar për votim fizik në përfaqësi diplomatike, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, duke votuar në përfaqësinë ku janë regjistruar, ndërkaq nga anëtarët e këshillave të vendvotimeve u kërkua që të respektojnë udhëzimet dhe rregullat zgjedhore të KQZ-së.
