Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u ka kërkuar qytetarët me të drejtë vote në vendin tonë që përmes platformës së KQZ-së të kontrollojnë dhe të shohin se ku është qendra e tyre për të votuar në Zgjedhjet Lokale.
Platforma elektronike e KQZ-së do të jetë e qasshme deri në mbyllje të vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025.
Këtë thirrje Radoniqi e bëri pas certifikimit të Listës së Votuesve, sipas së cilës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje është: 2,069,098 votues.
Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 2,025,105 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.
Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 938 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime. / Gazeta Enigma.