Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qortuar pronarët e hoteleve dhe restoranteve bregdetare, për çmimet e larta të raportuara nga turistët që po vizitojnë plazhet në këtë zonë.
Ai megjithatë, u ka bërë thirrje drejtuesve të këtyre resorteve të reflektojnë nga ajo siç e quajti ai ”strategji vetëvrasëse’’.
”Qeveria dhe bashkitë, nuk vendosin çmimet. Ky është sistemi që kemi zgjedhur, dhe kjo është shumë e qartë. Dhe nuk vendosim dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i kontrollojnë dot, apo i imponojnë dot”.
”Ama në Vlorë, në Sarandë, ku janë edhe dy pikat e një rritjeje absurd të çmimeve, është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve. Dhe t’u thuhet se jo vetëm që është e padrejtë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Është strategji vetëvrasëse”.
”Duhet të komunikohet dhe të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë, vitin tjetër”.
”Se po të ishte aq kollaj, do e kishte bërë tërë bota këtë sport”.
”Kështu para sesa të jetë vonë, është shumë e rëndësishme të komunikohet në mënyrë të vazhdueshme që çmimet të jenë të arsyeshme. Askush s’mund t’ua imponojë, por është edhe çështje dije. Ideja meqë vitin e kaluar u tha se Shqipëria është shumë e lirë, ne po ia hedhim në erë të gjitha tavanet e arsyes së çmimeve, është një ide komplet e çmendur”.