Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, këtë të mërkurë ka mbajtur një konferencë për media, ku edhe ka prezatuar drejtorët e rinj, raporton Gazeta ‘Enigma’.
“Mbas një kohe të konsiderueshme të negociatave me partnerët tanë të koalicionit, sot kam kënaqësinë të prezantoj ekipin tim të drejtorëve, që kam përzgjedhur për transformimin e Prishtinës”, ka deklaruar Rama.
Përveç drejtorit të Kulturës, i cili sipas Ramës do të vendoset në ditët në vijim, ai ka deklaruar emrat e të gjithë drejtorëve tjerë nga kjo komunë.
“Alban Zogaj nënkryetar, Donjeta Sahatçiu nënkryetare, Arbër Sadiki drejtor i Urbanizmit, Mimoza Sylejmani drejtoreshë e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, Krenar Gjaferi drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Besianë Musmurati drejtoreshë e Arsimit, Doruntinë Maloku drejtoreshë e Pronës, Ilirik Musliu drejtor i Shërbimeve Publike, Granit Rugova drejtor i Sportit, Donat Lushaku drejtor i Kadastrit, Adelina Sahiti, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale, Izet Sadiku drejtor i Shhëndetësisë, Valbona Makolli drejtoreshë e Financave, Florian Dushi drejtor i Inspeksionit, Plator Gërdovci drejtor i Zhvillimit Rural (drejtori e Bujqësisë), Donika Çeta drejtoreshë e Parqeve, Bersant Beka drejtor i Administratës”, ka deklaruar Rama.
Tutje Rama ka deklaruar se në ditët në vijim do të shtojnë edhe disa drejtori në Komunë.
“Jemi në analiza të drejtorive ose të nevojave, e kemi pa që na duhet ta kemi edhe një drejtori që është e dedikume për rini, një drejtori për qytetin e mençur, një për biznes në ndërlidhshmëri edhe me investime prej jashtë, me diasporë. Jemi duke e shqyrtu edhe aspektin e sigurisë, për shkak se qentë endacakë janë një problem shumë i madh ndoshta që duhet t’i dedikohet një drejtori e saktë. Këto po i diskutojmë dhe do të marrim shumë shpejt vendim”, ka thënë Rama./Gazeta Enigma/