Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, gjatë vizitës në Malin e Zi ka folur për takimin që ka zhvilluar me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ai ka thënë se me Konjufcën në takim nuk është folur aspak për draftin e propozuar nga ana e tij për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Me Glaukun kam kaluar aq mirë. Nuk bëhet fjalë për lëndim. Nga takimi dola me pozitivitet. Ai gjëra të tjera foli brenda, gjëra të tjera dhe për këtë duhet ta pyesni atë”, është shprehur Rama në konferencën e përbashkët me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, njofton KlanKosova.tv.
“Unë flisja, Glauku qeshte dhe nuk e kemi folur asnjë fjalë për draftin. Duhet ta pyesni Albinin pse Glauku i tha ato jashtë. Glauku s’di çka është drafti, Glauku do të flasë para kamerave ato për të cilat është konsultuar me Albinin”, u është drejtuar Rama gazetarëve, kur është pyetur për deklaratën e Konjufcës për “raportet e lënduara”.
Më tej Rama ka thënë se ka bërë çmos që të takohej me Kurtin.
“Ai i ka arsyet e veta nuk dua të bëjë interpretim. Ai është në një botë tjetër në këtë moment. E kuptoj sikletin e asaj bote. Kjo bota ku jam unë është më e madhe se ajo bota ku është Albini. Këtu janë të gjithë aleatët dhe Albini është shkëputur dhe është futur në botë të mbyllur”.