Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj një ekspozite të vendosur në sheshin e kryeqytetit, e cila sipas tij përmban pasaktësi lidhur me Masakrën e Dubravës, e ku mes tjerash thuhet se në masakrën e Dubravës, mes të vrarëve kanë qenë 48 shqiptarë të armatosur.
Rama ka thënë se nuk mund të lejohet që në sheshin e Prishtinës të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive e vendit, duke e cilësuar përmbajtjen e ekspozitës si të papranueshme dhe fyese për viktimat dhe qytetarët e Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se ekspozita paraqet një version të pasaktë të ngjarjeve të Masakrës së Dubravës, për çka është marrë vendim për pezullimin e lejes për ekspozimin në shesh.
“Ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojme lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës”, ka deklaruar Rama.
Ai gjithashtu ka kërkuar përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës lidhur me miratimin dhe financimin e përmbajtjes së ekspozitës, të cilën e ka cilësuar si skandaloze.
Ndërkohë, ndaj kësaj ekspozite ka reaguar edhe i mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Sadik Zeqiri, i cili ka kundërshtuar fuqishëm përmbajtjen e paraqitur.
Sipas tij, në Dubravë nuk ka pasur të burgosur të armatosur dhe të gjithë kanë qenë “duarthatë dhe të pambrojtur”. Ai ka theksuar se 116 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa mbi 400 të tjerë janë plagosur, dhe se Ukshin Hoti vazhdon të figurojë i zhdukur.
Zeqiri ka thënë se shtrembërimi i këtyre fakteve është i papranueshëm dhe përbën ofendim të rëndë për viktimat dhe të mbijetuarit.
