Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në platformën “X” lidhur me marrëveshjen me Italinë për refugjatët, duke u shprehur i prerë se pakti do të vazhdojë “për sa kohë vendi fqinj do të dojë”.
Reagimi i Ramës vjen pas raportimeve mediatike dhe interpretimit të një deklarate të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, të cilat kryeministri i ka cilësuar si të shtrembëruara. Ai ka sqaruar se qëndrimi zyrtar i Shqipërisë mbetet i pandryshuar dhe se marrëveshja me Italinë do të vazhdojë të jetë në fuqi, pa mundësi për ndërprerje të njëanshme.
“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, që po kontaktojnë lidhur me një citim të pasaktë të raportuar nga një media pas një interviste me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Më lejoni ta ritheksoj qartë, dhe shpresoj përfundimisht, se protokolli ynë me Italinë do të vazhdojë të jetë në fuqi, për aq kohë sa Italia e dëshiron atë.”, është shprehur Rama, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve vijon normalisht dhe në respekt të marrëveshjes së nënshkruar.
Ndërkohë, edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar duke sqaruar se deklarata e tij në Bruksel është keqinterpretuar.
Ai theksoi se nuk bëhej fjalë për ndryshim qëndrimi, por për një përgjigje hipotetike në një pyetje gazetari lidhur me të ardhmen e protokollit pas përfundimit të afatit fillestar pesëvjeçar.
Sipas Hoxhës, komenti i tij lidhej me një reflektim në kontekst të mundësisë që Shqipëria në të ardhmen të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, çka do të ndryshonte rrethanat institucionale të marrëveshjeve të tilla.
Ai shtoi se deklaratat e shkëputura nga konteksti shpesh krijojnë keqkuptime dhe narrativa të pasakta që nuk pasqyrojnë qëndrimet reale të qeverisë.
