Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, i ka falënderuar të gjithë qytetarët për besimin e dhënë në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, që u mbajtën dje më 12 tetor.
Përmes një videoje të postuar në rrjetin social Facebook, Rama kërkoi nga përkrahësit e tij që të jenë të bashkuar.
Po ashtu, ai i falënderoi edhe kandidatët e tjerë për pjesëmarrjen në zgjedhje.
“Të dashur qytetarë, dua t’ju falënderoj me gjithë zemër për pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet e lira dhe demokratike të ditës së djeshme. Pjesëmarrja e juaj tregon pjekurinë e shoqërisë tonë, dhe besimin në vlera demokratike. Dua t’ju uroj të gjithë kandidatëve që morën pjesë në këtë proces të rëndësishëm, kontributi i cili e forcon demokracinë, e jep zë shpresave e ideve të qytetarëve tanë”, tha Rama.
“Tani ndërsa shikojmë përpara drejt 9 nëntorit, iu ftoj për mbështetjen dhe besimin tuaj të vazhdueshëm. Së bashku mund të ndërtojmë mbi arritje tona, të qëndrojmë të bashkuar, dhe të formësojmë një të ardhme më të ndritur për qytetin tonë të zemrës”, theksoi ai.