Trajneri Zekirija Ramadani e ka ritheksuar edhe një herë tjetër momentin e vështirë nëpër të cilin po kalon skuadra e Gjilanit.
Por ai ka shtuar se skuadra e Gjilanit do të lodhet edhe më tepër në ditët e javët në vazhdim. Ramadani këto komente i ka bërë pas ndeshjes së humbur në shtëpi nga skuadra e Drenicës të enjten në Gjilan, 2:0.
“Rezultati na çon të paragjykojmë shumë gjëra. Në përgjithësi ne luajtëm mirë, krijuam disa raste. Nuk arritën t’i shënojmë ato raste. Drenica në bazë të analizave që i kemi bërë, e dimë se ka kundërsulm vrasës. Ne donim fitoren sepse nuk ishim të kënaqur me barazim. Në fund dështuam dhe kundërshtari na ndëshkoi me kundërsulm. Jemi bërë si një ekip 17-vjeçar. Kur pranojmë një gol, fiket ekipi, humb shpresa. Kur pranuam golin e parë morëm masa ekstreme për të barazuar dhe u ndëshkuam sërish. Nuk kishim as mbrojtje, as mesfushë e as sulm siç duhet, ishim të shpërndarë. Jo për fajin e futbollistëve e as shtabit teknik”, tha fillimisht Ramadani. “Nuk mund ta fajësojmë vetëm sulmin sepse kishim disa goditje nga këndi dhe nuk ishim dominues në lojën në ajër. Ne kemi disa mbrojtës që luajnë mirë në ajër. Puna më e vështirë është të bëhet shënimi i golit. Por kur nuk je i qetë gjatë javës, normal që nuk mund të presësh që në ndeshje të jesh i koncentruar dhe të shënosh nga gjysmërastet. Unë jam gjithmonë me futbollistët. Janë ata që unë jam sot. Nuk jemi pesimist duke menduar vetëm negativisht. Rikthimi nuk varet nga ne. Dita-ditës, ndeshje pas ndeshje, ekipi po lodhet edhe më tepër”, deklaroi Ramadani.