Ramadani i premton Skifterave se ndaj Llapit skuadra e Gjilanit do të jetë një skuadër që lufton për çdo top

Ramadani i premton Skifterave se ndaj Llapit skuadra e Gjilanit do të jetë një skuadër që lufton për çdo top

Sc Gjilani do të rikthehet në aksion të shtunën nga ora 15:00 në stadiumin me bari sintetik në Gjilan ndaj Llapit, ndeshje që luhet në kuadër të xhiros së tetë në Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani vjen në këtë ndeshje pas një rezultati zhgënjyes në derbin lokal ku pësuan humbje me rezultat 4-1, humbje e cila ka domëthënie të madhe për skuadrën e Gjilanit.

Gjiani e pret në shtëpi një Llap i cili nuk është në formë të mirë, pasi nga gjashtë ndeshje i ka grumbulluar vetëm pesë pikë, duke i pësuar tri humbje radhazi, shkruan Gazeta Enigma.

Trajneri i SC Gjilanit, Zekirija Ramadani në një bisedë për Gazetën Enigma ka thënë se humbja në derbi naj Dritës i ka ngarkuar në aspektin psikologjik, por tani janë të bashkuar si familje dhe presin reflektim që në ndeshjen e radhës.

Normal humbja në derbi është e rëndë dhe ekipi është ngarkuar shumë në aspektin psikologjik, por kemi bërë analizën e ndeshjes dhe i kemi thënë gjitha gjërat drejt si në një familje dhe besoj që ekipi do të reflektoj në ndeshjen e radhës”, shprehet i bindur Zekirija Ramadani.

Trajneri shkupjan thotë se Llapi mund t’i sjellë probleme në aspektin fizik, pasi skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina ka pushuar një javë duke mos e zhvilluar ndeshjen në mesjavë me Ballkanin.

“Duhet të ceki se do kemi një kundërshtar i cili është në krizë të rezultateve dhe i cili ka pushuar në mesjavë, ky mund të jetë problem për ne në aspektin fizik”, vlerëson Ramadani.

Ramadani kërkon nga lojtarët e tij që të tregojnë shpirt luftarak në përballjen ndaj Llapit.

“Nuk kishim shumë kohë të punonim në aspektin taktik, por ajo që duhet përmirësuar është grinta, lufta sportive dhe shpirti ekipor. Besoj që do të jetë më mirë se në ndeshjen e fundit”,  thotë ai.

 Ai i falënderon tifozët e kësaj skuadre, “Skifterat” për mbështetjen e parezervë dhe i premton që ndaj Llapit do të shohin tjetër skuadër në fushë.

“E para dua t’i falenderoj të gjithë Skifterat të cilët na kanë mbështetur pa rezervë pas disfatës në derbi se të gjithë e kuptuam që ishte një ditë e keqe për të gjithë ekipin. Jam i bindur që më Llapin do e shofin sërish atë ekip luftarak që kanë parë në ndeshjet e kaluara”, shprehet i bindur Ramadani se lojtarët e tij do të bëjnë një ndeshje të mirë ndaj Llapit.

SC Gjilani – Llapi luhet të shtunën nga ora 15:00./GAZETA ENIGMA/

Related Articles