Gurmanët e futbollit kosovarë të mërkurën nga ora 15:00 do ta kenë vëmendjen në super përballjen KF Llapi – SC Gjilani që luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë në kuadër të ndeshjes së parë gjysmëfinale në Kupën e Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
Llapi u kualifikua në gjysmëfinale me vështirësi pasi për 120 minuta luajti me rezultat të barabartë 2-2 me Malishevën. Lojtarët e Llapit u treguan më të saktë nga gjuajtja e penalltive duke e siguruar gjysmëfinalen.
Për dallim nga Llapi, SC Gjilan u kualifikua me lehtësi pasi dhuroi spektakël ndaj Trepçës ’89 duke e mposhtur me shifrat 1-5 me një pesë golësh të mesfushorit Albert Dabiqaj.
Në pesë takimet e fundit ndërmjet këtyre dy ekipeve, dy fitore i ka Llapi, dy fitore Gjilani dhe një ndeshje ka përfunduar me barazim.
Takimi i fundit në Podujevë ndërmjet këtyre dy skuadrave kishte përfunduar me fitoren e Gjilanit me rezultat 0-1 me golin Solomonit.
Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani në një bisedë për Gazetën Enigma ka folur për takimin e nesërm ndaj Llapit.
Sipas tij, Llapi në këtë ndeshje është favorit, pasi vjen në këtë ndeshje si fitues i Kupës së Kosovës për dy vite radhazi.
“Na pret një ndeshje me vlerë të madhe dhe ndeshje shumë e vështirë. Se e kemi përball fituesin e kupës në dy edicionet e fundit dhe kjo e bën Llapin favorit në këtë duel”, vlerëson trajneri Zekirija Ramadani.
Përballja ndaj Llapit për trajnerin Zekirija Ramadani është si një finale.
“Ne, këtë ndeshje e llogarisim sikurse finale dhe do ta japim maksimumin që të kalojmë tutje. Forma e lojtarëve është e mirë dhe gjithmonë në kupë ndryshon forma e lojtarëve në të mirë”, thotë trajneri shkupjan për Gazetën Enigma.
Gjilani në këtë ndeshje do të jetë e hendikepuar pa mesfushorin Albert Dabiqaj i cili mungon për shkak të një lëndimi që e pësoi pikërisht në ndeshjen ndaj Llapit në Superligë. Përveç Dabiqajt, trajneri Ramadani nuk mund të llogaris edhe në tre futbollistë tjerë për shkak të kartonëve.
“Pikërisht mungesat e mëdha që i kemi në këtë ndeshje e bën Llapin favorit, përveç Dabiqajt na mungojnë edhe tre futbollistë të formacionit startues për shkak të kartonëve. Ne kërkojmë nga futbollistët që ata të japin maksimumin në këtë takim dhe të nxirret rezultat pozitiv” shprehet Zekirija Ramadani i cili kërkon maksimumin nga futbollistët e tij në këtë takim.
Krejt për fund, trajneri Ramadani ka disa fjalë edhe për skuadrën e Llapit dhe trajnerin Batatina.
“Llapi ka futbollistë mjaftë cilësorë ka një trajner që është me jetëgjatë në një klub nga të gjithë trajnerët tjerë dhe është një ekip që këtë sezon ka treguar formë të dobët si vendas, por formë të mirë si mysafir”, vlerëson trajneri Zekirija Ramadani. /GAZETA ENIGMA/