Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar shpërbërjen e Kuvendit Komunal të Drenasit, rrjedhimisht mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvend Komunal.
Ai ka njoftuar se sot i është drejtuar me kërkesë Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që ta njoftojë Qeverinë për mosfunksionimin e Kuvendit të Komunës së Drenasit sot e 71 ditë.
“Kam konstatuar se me mosfunksionimin e Kuvendit, është rrezikuar buxheti i Komunës, bartjet e mjeteve buxhetore për realizimin e shumë projekteve kapitale, rrjedhimisht papërgjegjshmëria e Kuvendit po rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve të komunës së Drenasit. Në shkresë, drejtuar edhe institucioneve relevante, kam evidentuar se Kuvendi i Komunës së Drenasit, është pa Kryesues të Kuvendit, pasi që 16 asamblistë, prej tyre 6 asamblistë të DD, 5 ish asamblistë të PDK, 4 të Vv dhe një asamblist i Green, më 6.6.2024, kanë shkarkuar Kryesuesin, Milaim Hajdari”, ka shkruar Lladrovci.
“Pengimi i punës së ekzekutivit të komunës së Drenasit, pres të marrë fund, njëherësh, qytetarët të zgjedhin përbërje tjetër kuvendore që angazhohen për zhvillimin e komunës së Drenasit dhe përfaqësojnë realisht interesin qytetar”, ka shkruar tutje ai.