Ftohja e marrëdhënieve midis Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, jo që nuk po zhbëhet por dita e ditës po thellohet edhe më tej, shkruan Gazeta Enigma.
Marrëdhëniet e tyre personale, po ndikojnë edhe në bashkëpunimin e dy shteteve mes vete. Madje ka disa vite, prej kur Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk janë ulur së bashku.
Më 10 qershor të këtij viti kryeministri Rama ka vizituar Kosovën, por që në agjenden e kryeministrit kosovar nuk kishte të planifikuar një takim mes tij dhe Ramës.
Përkundër kësaj, Zyra e kryeministrit të Kosovës, e ka ftuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, por, menjëherë përgjigja ka qenë negative nga Zyra e kryeministrit shqiptar.
Kjo ftesë më 12 qershor, i është bërë Ramës me rastin e ceremonisë së 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës.
“Në anën tjetër, kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor”, ka njoftuar Përparim Kryeziu.
E derisa raportet e ftohta mes Kurti dhe Rames po thellohen, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, po e vlerëson se marrëdhëniet mes “Shqipërisë dhe Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë më të forta”.
“Kurti duhet të mësoj nga gabimet dhe dëshimet që po i bën, me ç’rast ta ketë Edi Ramën përkrahë”
Ndër të tjera, analisti Shkëlzen Maliqi, potencoi se raportet e ftohta mes Kurtit dhe Ramës, dëmtojnë të dy vendet.
“Raportet e ngatërruara dhe ftohja mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryeministrit Edi Rama, sigurisht se dëmtojnë të dy vendet, nuk do të duhet të ndodhte fare për arsyet për të cilat po ndodh. Nuk duhet të jetë problem që ata mendojnë ndryshe për disa çështje të rëndësishme, por problem është që të dy kryeministrat nuk ulen të bisedojnë qetë këtë gjë, për një interes më madhor kombëtar”, u shpreh Maliqi për Gazetën Enigma.
Maliqi theksoi se Kurti e ka problem të pranojë qasjet e të tjerëve që dallojnë nga të tijat.
“Mendoj se kryeministri Kurti, e ka problem jo vetëm me Ramën, por, edhe me zyrtarët amerikanë, ti pranojë qasjet që dallojnë nga të tijat, kryeministri Rama nuk vuan nga ky lloj i ekskluzivizmit, se vetëm ai ka të drejtë, por e thotë shpesh se ai me Kurtin e kanë të njëjtin interes të pëgjithshëm, por zgjedhin rrugët dhe metodat e ndryshme të realizimit, Kurti për disa gjëra ka treguar pragmatizëm dhe kjo ju ka shpaguar, por duhet të mësojë ta mund egon e vetë dhe të mësoj më shpejt nga dështimet dhe gabimet që po i bën, që Ramën ta ketë përkrahë”, përfundoi Maliqi për Gazetën Enigma.
“Duhet të jemi bashkë kundër luftës serbe për ta njëllosur luftën e shqiptarëve”
Ndërkohë, me rastin e ceremonisë së Çlirimit të Kosovës më 12 qershor, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj nuk ka munguar në të gjitha aktivitetet e organizuara nga Republika e Kosovës.
Begaj në seancën e sotme të Kuvendit, ka bërë thirrje për unitet mes dy popujve shqiptar, kundër luftës që Serbia po e bënë kundrejt Kosovës.
“Në një kohë kur Serbia dhe aleatët kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për të njëllosur luftën e drejtë të shqiptarëve, kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë, për një manifest krenarie kombëtare”, është shprehur Begaj.
E për mos takimin mes Kurtit dhe Ramës, ka folur edhe ish-diplomati Blerim Canaj.Canaj e ka cilësuar si të dhimbshme raportin mes Kurtit dhe Ramës, pasi që sipas tij, këto raporte të ftohta kanë efekt në marrëdhëniet institucionale.
“Pavarësisht nga agjenda, si do të duhet të ishe e njërit apo tjetrit një 15 minuta për hir të publikut do të mund të siguroheshin, kudo qofshin ata. Nuk ka ndodhë më parë kjo që po e shohim tani. Deri këtë herë gjithmonë kanë pasur kryeministrat dhe shefat e shteteve kohë që të takohen. Tani si duket raportet personale po reflektohen edhe në drejtimin e shtetit. Raportet me Ramën nuk janë vetëm personale, por ndërinstitucionale e shtetërore. Raportet e ftohta personale të kryeministrave po reflektohen në ato instituconale dhe kjo është e dhimbshme”, ka thënë Canaj.
Një krisje e mundshme e raportve mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është përfolur që nga viti 2023 kur kryeministri Rama pati anuluar pjesëmarrjen e kabinetit të tij në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që ishte paraparë të mbahet në qershor të vitit 2023.
Më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “e ka kushtëzuar” takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me mbajtjen e mbjeldhjes së përbashkët të dy qeverive.
Gjatë një vizite që kishte zhvilluar Rama në Kosovë më 07.07.2023, ishte takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, por jo edhe me kryeministrin Albin Kurti./GAZETAENIGMA/