Një fëmijë i moshës së mitur ka pësuar lëndime trupore, pasi ai është goditur nga vetura e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, sot rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Demokracia.com ka raportuar për këtë rast, i cili tashmë është konfirmuar me version të “zbutur” edhe nga vetë ministrja Rozeta Hajdari.
LEXO EDHE: Ministrja Hajdari: Fatkeqësisht, njëri nga fëmijët u përplas në veturën time
Megjithatë, raporti i policisë nuk e përshkruan rastin kaq “but” sikur ministrja Hajdari.
Ky medium ka arritur ta sigurojë pjesën përshkruese të raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, ku thuhet se aksidenti ishte shkaktuar si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës nga ana e ministres Rozeta Hajdari.
“Me datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur *****. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur me **** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhet në raportin zyrtar.
I mituri i cili ende nuk ka mbushur 10 vjeç, ka pësuar lëndime dhe është dërguar me emergjencë në QKUK.
Në momentin e shkaktimit të këtij aksidenti, ministrja Rozeta Hajdari ishte me veturë personale, konkretisht me një Ford Fiesta, ngjyrë e kaltër.