Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të përqendruara te procesi i integrimit europian.
“Ballkani i Hapur nuk ka lidhje me procesin e integrimit europian. Nuk më takon mua. Është një nismë që kërkon të ketë bashkëpunim më të mirë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, por e rëndësishme për mua është procesi i integrimit europian dhe unë jam e fokusuar te ky proces. Dhe jam e sigurt që të gjithë janë të fokusuar te ky proces”, tha Santos pas turit dyditor në Shqipëri ku takoi të gjithë akterët kryesorë politikë.
Santos tha se Shqipëria i ka plotësuar të pesta kushtet e vendosura nga Komisioni Europian, por për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare nevojitet që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të arrijnë sa më shpejt marrëveshjen.
“Shqipëria i ka plotësuar kushtet, kjo është e qartë për të gjithë. Po merremi me Shqipërinë si të ishte shtet anëtar. Jemi të pranishëm këtu, po investojmë në Shqipëri. Data e nisjes së negociatave nuk ka rëndësi thelbësore sa i përket ndryshimit të jetëve të qytetarëve”, tha ajo./ Gazeta “Enigma”/