Rasti “Brezovica”, arrestohet biznesmeni Ismet Asllani

Rasti “Brezovica”, arrestohet biznesmeni Ismet Asllani

Policia e Kosovës ka vazhduar sot aksionin e njohur me emrin “Brezovica” në Prishtinë, Ferizaj, Shtërpcë, me ç’rast janë arrestuar shtatë persona. Siç mëson Paparaci, njëri nga të arrestuarit është edhe biznesmeni i njohur, Ismet Asllani, i dyshuar për dhënie të ryshfetit.

Ky i fundit ka një ndërmarrje në Ferizaj të quajtur “Kashtanjeva Dekor SH.P.K”, që merret me prodhimin dhe montimin e produkteve nga druri. Sipas ARBK-së ky biznes kap vlerën e 75 mijë eurove.

Sot Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, në një konferencë për media bëri të ditur se investitori i një lagjeje në Brezovicë, që siç mëson Paparaci është Ismet Asllani, dyshohet se ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit dhe dhënie e ryshfetit”.

I njëjti tashmë është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Krahas, biznesmenit Ismet Asllani, policia sot ka arrestuar edhe kryeinspektorin e Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti”.

Kapiteni, Adnan Haziri, deklaroi se policia gjatë aksionit të sotëm ka konfiskuar mbi 5 milionë euro dhe 86 mijë dollarë.

“Sot kemi vazhduar operacionin “Brezovica”, nga Krimet e Rënda, katër janë arrestuar, një është liruar në procedurë të rregullt dhe pesë janë në kërkim policor që dyshohet se kanë kryer veprat penale të cekura më lartë. Gjatë hetimeve në xhirollogaritë e të dyshuarve janë ngrirë 5 milionë e 389 mijë euro dhe 86 mijë dollarë amerikan”.

“Gjatë aksionit janë sekuestruar një veturë “BMW X1” armë “CZE” e “Zastava”, një kuti me armë, një shtëpizë e kompjuterit, një karikator i zbrazët, një USB, një uniformë e policisë serbe dhe dokumente të ndryshme”.

Prokurori Shukri Jashari  në konferencë (0:55) dëgjohet duke thënë se investitori nga Brezovica dyshohet se ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit dhe marrje e ryshfetit”, ndërkohë  ka potencuar se mund të ndodhin gabime dhe se i dyshuari është arrestuar për veprën penale “ushtrim i ndikimit dhe dhënie e ryshfetit”./Gazeta “Enigma“/

Related Articles