Federata Ndërkombëtare e Boksit ka reaguar pasi ekipi i Kosovës nuk u lejua të hyjë në Serbi, ku destinacion kishte Beogradin për pjesëmarrjen nëBotërorin e Boksit.
AIBA kërkon që çështjet sportive të mos konsiderohen si politike.
Sekretari i përgjithshëm i AIBA-s, Istvan Kovacs, në një letër drejtuar Federatës Serbe të Boksit, e ka konsideruar të papranueshëm vendimin e Serbisë që të mos ua lejojë hyrjen në territor të saj boksierëve nga Kosova për pjesëmarrje në Botërorin e Boksit.
AIBA, në letrën drejtuar Federatës Serbe të Boksit, ka kërkuar që “çështjet sportive s’duhet të konsiderohen si politike”.
“Federata e Boksit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota në AIBA që nga nëntori 2014 dhe pritet të marrë pjesë në Kampionatet Botërore të AIBA-s. AIBA pret që delegacioni i Kosovës të mos trajtohet ndryshe nga delegacionet tjera anëtare të AIBA-s. Duket se megjithatë Kosova është ndalur në kufi. Kjo është e papranueshme”, thuhet në letër.
Ai ka kërkuar që asnjë pjesëmarrje e sportistëve të mos shihet me sy politikë dhe ka shtuar kërkesën nga Serbia që të gjejë zgjidhjen bashkë me Federatën e Boksit të Kosovës që të sigurohen që çështja të zgjidhet në interes të boksierëve.
Boksierët e Kosovës tashmë janë nisur për Prishtinë deri në vendimin e radhës./Gazeta “Enigma“/