Reagon Veliu pasi u përmend në konferencën e Vuçiqit

Reagon Veliu pasi u përmend në konferencën e Vuçiqit

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, tha se vendimi i marrë nga ai në vitin 2020 për shfuqizimin e targave KS duhet vetëm të zbatohet.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media në Beograd pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti të enjten dhe pasi i takoi sot përfaqësuesit e strukturave të tij ilegale në Kosovë, e përmendi vendimin e marrë nga Veliu.

Vuçiq tha se i ka propozuar Kurtit shfuqizimin e këtij vendimi për t’i kthyer targat KS si zëvendësim për ato që i lëshon Serbia për Kosovën (KM, UR, PR e të ngjashme), por tha se ky propozim është refuzuar.

Veliu tha se nuk e di se cila ka qenë tema e diskutimit të Kurtit me Vuçiqin, pasi tha se “s’e kam përcjellë”, por shtoi se Qeverisë i takon vetëm që ta zbatojë atë vendim.

“E Qeverisë Kurti është vetëm ta zbatojë atë vendim. Nuk ka as çka të bej spektakle as asgjë tjetër. Le të ecë përpara”, tha Veliu për Express.

Ai tha se “nuk kam çfarë ta komentoj deklaratën e Vuçiqit”, ndërsa shtoi se presidenti serb “ka folur për një realitet”.

Vendimin, Veliu tha se e kishte marrë për ta kthyer normalitetin në Kosovë.

“Le të mendoj Kurti a e shfuqizon apo e zbaton”, tha Veliu.

Vuçiq e nxori para gazetarëve vendimin e ish-ministrit Agim Veliu për shfuqizimin e targave KS, duke thënë se ato janë të pranueshme për serbët pasi që janë në përputhje me rezolutën 1244 dhe janë lëshuar nga UNMIK-u.

“Ata shfuqizuan tabelat KS në mënyrë të paligjshme në 2020”, tha Vuçiq.

Related Articles