Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rivendosje ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës të ushtruara nga mbrojtja e të akuzuarve Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Jesmir Badallaj dhe Roland Susuri, duke konfirmuar kështu aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj tyre, raporton Enigma.
Në këtë rast, Kobra dhe të tjerët akuzohen për rastin e vrasjes së V.C më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.
“Refuzohen kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës… të paraqitura nga av. Florent Latifaj mbrojtës i të pandehurit Dibran Hoxha, av.Jeton Rekathati, mbrojtës i të pandehurit Jesmir Badallaj, av.Sahadete Gashi, mbrojtëse e të pandehurit Roland Susuri, si të pabazuara”, “Në këtë çështje penale do të vazhdohet me procedim sipas kësaj aktakuze pasi që ky aktvendim të bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në aktvendimin e Themelores të marrë më 5 gusht të këtij viti.
“Gjykata thekson se qëllimi i kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës, të parashikuar nga KPP, është të eliminohen lëndët që vërtetë nuk kanë meritë dhe të mbrohen të pandehurit nga ekspozimi i pajustifikuar dhe potencialisht i gjatë në shqyrtimin giyqësor. Në kundërshtim me KPPK-në, sipas struktures ligjore te KPP-së, gykata nuk ka me të drejtë të vleresojë plotësisht aktakuzën dhe pranueshmërinë e provave duke vepruar sipas detyrës zyrtare“, thuhet në aktvendim të Gjykatës Themelore.
Ndërkaq, mbrojtësi i Hoxhajt, avokati Florent Latifaj në ankesë kishte pretenduar se deklaratat e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve janë marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe se aktakuza ndaj klientit të tij është bazuar në deklarimet e bashkë-të akuzuarve të marra në procedurë paraprake, që sipas mbrojtjes janë në kundërshtim me KPPRK-në. Andaj, Latifaj ka kërkuar hudhjen poshtë të aktakuzës dhe të provave.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Badallaj, avokati Rekathati përmes ankesës ka pretenduar se dëshmitë e të dëmtuarve Rutgen dhe Arben nuk konsistojnë më njëra-tjetrën, duke pas kundërthënie, andaj i njëjti ka kërkuar nga Themelorja që të shpallën si të papranueshme dhe të veçohen nga shkresat e lëndës, duke kërkuar hudhjen poshtë të aktakuzës dhe të provave.
Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Susuri, avokatja Sahadete Gashi ka pretenduar se aktakuza nuk i plotëson elementet e domosdoshme, siç janë provat në të cilat duhet të mbështetet si dhe kundërshtoi cilësimin e veprimit inkriminues për të mbrojturin e saj. Sipas saj, aktakuza u ngrit në bazë të deklarimeve të bashkë-të pandehurve, veprim ky në kundërshtim me KPPRK-në. Në fund, Gashi ka kërkuar hudhjen poshtë të aktakuzës dhe të provave.
Kujtojmë se Gjykata Themelore e Prishtinës përmes aktvendimit të 29 prillit 2024, kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes, duke e konfirmuar kështu aktakuzën ndaj të lartcekurve.
Por, duke mos u pajtuar me vendimin e Themelores mbrojtja ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, ndërsa kjo e fundit rastin e kishte kthyer në rivendosje.
Ndryshe, në seancën fillestare më 7 mars 2024 Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për vrasjen e V.C më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.