Remi vazhdon dëshminë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Remi vazhdon dëshminë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, po vazhdon dëshminë e tij, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit.

Dëshmitari Mustafa në seancën e së hënës ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës Ben Emmerson, i cili ka filluar ta marrë në pyetje këtë dëshmitar në sesion e pasdites të së premtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mustafa ka filluar dëshminë e tij në seancën e së martës dhe ka vazhduar në seancat e së mërkurës, të enjtes dhe të premtes.

Ndryshe, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës së sotme.

Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Related Articles