Rënia e Vetëvendosjes e deri tek ‘shkëlqimi’ i disa kandidatëve – befasitë e zgjedhjeve lokale

Rënia e Vetëvendosjes e deri tek ‘shkëlqimi’ i disa kandidatëve – befasitë e zgjedhjeve lokale

Befasi të shumta u shfaqën nga votat e 42% të qytetarëve kosovare që iu drejtuan kutive të votimit të dielën e 17 tetorit, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pritshmëri e matematika të shumta u thyen, e kandidatë që s’pritej morën vota të shumta.

Nga të dhënat e KQZ-së, në 17 komuna nxorën kandidatin fitues, kurse në 21 komuna të tjera pritet të ketë raunde të dyta.

Sipas rezultateve të para, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës, pesë, kurse AAK dhe LDK kanë fituar në dy komuna.

Befasi e këtyre zgjedhjeve ishte rënia e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk arriti të fitoj në asnjë komunë, pa balotazh.

Përkundër matematikave parazgjedhore, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni i cili aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës, arriti të ‘lëkund’ rezultatin në komunën e Gjilanit, e cila njihej si bastion i LDK-së.

Ndonëse Hyseni nuk arriti numrin e votave për tu zgjedhur kryetar, sërish ai do të shkoj në balotazh me kreun aktual, Lutfi Hazirin.

Podujeva “befasia” tjetër e 17 tetorit

Edhe në Podujevëpati befasi. Aty një garë e ngushtë u zhvillua ndërmjet kandidatit të LDK-së dhe atij të Vetëvendosjes. Të dy kandidatët pritet të shkojnë në balotazh muajin e ardhshëm.

Ndërkaq, në Prishtinë kandidati i LVV-së, Arben Vitia do të përballet me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, i cili doli i dyti në këto zgjedhje.



Në Gjakovë, ish-kryetarja Mimoza Kusari-Lila nga Vetëvendosje do të garojë kundër kryetarit të deritanishëm, Ardian Gjinit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në komunën që kishte qeverisur për katër vjet, në Prizren, Mytaher Haskuka i LVV-së do të garojë në balotazh me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaqir Totaj.

17 tetori, rikthimi i fuqisë reale të partive

Njohësi i çështjeve politike, Visar Ymeri në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se zgjedhjet e 17 tetorit, kanë rikthyer fuqinë reale të secilës parti veç e veç.

“Përmes tyre mendoj që rikuptimësohet rezultati i 14 shkurtit si një rezultat mllefi e zhgënjimi të momentit të qytetarëve i cili në zgjedhjet e djeshme duket se ka rënë në binarë të normales. Vota me 14 shkurt ka qenë votë kundër – kjo më 17 tetor është votë për. Zhvillim pozitiv ky për sistemin tonë demokratik”, ka thënë ai.

Ai ka konsideruar se befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve ka qenë rënia e Vetëvendosjes.

“Realisht Vetëvendosja është humbësja më e madhe e raundit të parë nëse e krahasojmë me pritjet e stërfryra që VV kishin ndërtuar për veten dhe fuqinë e saj elektorale. Mirëpo VV duket të ketë rënë në votën e vet normale. Edhe pse mbetet partia me më së shumti balotazhe VV nuk arriti ta fitoj asnjë komunë pa balotazh, karshi pritjeve të kryetarit të saj i cili thoshte se i synojnë ¾ e komunave. Kështu nëse e krahasojmë synimin e shpallur nga VV dhe rezultatin electoral kjo është humbje e madhe”, theksoi ai.

 Tutje ai theksoi se  “Synimi është kalkuluar gabimisht dhe VV është paraqitur si një parti e verbëruar me mbështjetjen e paprecedan në zgjedhjet e përgjithshme gjë që ia ka errësuar gjykimin racinonal për zgjedhjet”.

Cilat komuna shkojnë në balotazh? 

Në balotazh me PDK-në, LVV-ja do të jetë edhe në Shtime. Qemajl Aliu që kërkoi për herë të parë votën e qytetarëve, do të përballet me kryetarin e deritanishëm të Shtimes, Naim Ismajli.

Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi i LVV-së është në garë me Ekrem Hysenin e LDK-së.

LVV-ja do të synojë fitore në balotazh edhe në Gjilan, me kandidatin Alban Hyseni, i cili do të përballet me kryetarin e deritanishëm, Lutfi Hazirin e LDK-së. Këto dy parti do të garojnë edhe në Fushë Kosovë dhe në Viti.

Burim Berisha i LDK-së dhe Enver Bajçinca do të garojnë për Fushë Kosovën, kurse Arsim Ademi do të garojë kundër kryetarit të deritanishëm të Vitisë, Sokol Haliti.

Në balotazh Lëvizja Vetëvendosje do të garojë edhe në Obiliq. Halil Thaçi nga kjo parti do të garojë kundër Iniciativës Qytetare për Obiliqin, që udhëhiqet nga Xhafer Gashi, që është kryetar aktual.

Kamenica është komuna e tetë që LVV-ja do të kërkojë sërish votën e qytetarëve. Kjo komunë për katër vjet është drejtuar nga Qëndron Kastrati i Partisë Socialdemokrate (PSD), anëtarë të së cilës parti u larguan nga LVV-ja. Kundër Qëndron Kastratit do të garojë kandidati i LVV-së, Kadri Rahimaj.

Në Rahovec, Visar Korenica i LVV-së do të garojë në balotazh me Smajl Latifin e AAK-së, kurse në Kaçanik, kandidati i PDK-së, Jeton Raka do të përballet me kandidatin e PDK-së, Besim Ilazi. / Gazeta Enigma.



Related Articles