Parlamenti Europian dje ka diskutuar për sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës dhe situatën aktuale të sigurisë. Disa nga deputetët europianë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë, e cila akuzohet nga Kosova se qëndron drejtpërdrejt pas këtij sulmi.
Për këtë çështje, në seancën e ardhshme gjatë muajit tetor PE do ta miratojë një rezolutë të veçantë për situatën në Kosovë.
Një zëdhënëse e PE-së i tha Gazetës Express se data më e mundshme kur do të votohet kjo rezolutë është 17 tetori.
“Nuk e dimë ende, por me shumë mundësi votimi për rezolutën Serbi-Kosovë do të jetë të martën, më 17 tetor”, tha ajo, duke shtuar se për dje u vendos që të mos hidhet në votim për shkak që eurodeputetët “të kenë kohë për të përgatitur siç duhet rezolutën”.
Kërkesën për këtë rezolutë e bëri eurodeputeti kroat Tonino Picula. Në seancën e djeshme, Picula e përshkroi si terrorist sulmin në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
“Ngjarjet e fundit janë evidencë se sa e rrezikshme është situata. Jemi të shqetësuar për sjelljen e Serbisë edhe pas këtyre ngjarjeve“, tha ai, duke shtuar se Bashkimi Europian duhet të vendosë masa të ngjashme ndaj Serbisë siç bëri kundër Kosovës muaj më parë.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, tha se sulmi brutal dëshmon se “nuk mund ta marrim lirinë si të garantuar në Europë”, duke shtuar se lidhjet e terroristit Milan Radoiçiq, që udhëhoqi sulmin, me Beogradin zyrtar janë më se të dukshme.
“Serbia duhet të bashkëpunojë pa kushte në hetim dhe të mbajë përgjegjës të gjithë ata që janë përgjegjës. I bëj thirrje Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së që të dërgojnë forca shtesë në KFOR”, tha ajo.
Kolegu i Cramon nga Sllovakia, eurodeputeti Vladimir Biliçik, i cili është raportues për Serbinë, e fajësoi kryeministrin Albin Kurtin për gjendjen në veri.
“Procesi i dialogut nisi të ngecë me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet. Refuzimi i tij për themelimin e Asociacionit krijoi situatën në të cilin ka ngecur dialogu. Nuk mund të ketë zgjidhje pa kompromis“, tha ai.
Ndërkaq, eurodeputeti holandez Thijs Reuten kërkoi hapa “vendimtarë për ta ndalur Presidentin e Serbisë Vuçiq”.
“Vuçiqin duhet ta ndalim sepse ai nuk ndalet vetë. Nëse një herë e tolerojmë e nuk e ndalim, herën tjetër shkon një shkallë më larg. Krejt çka BE-ja ka bërë është sanksionimi i Kosovës“, theksoi ai duke kërkuar masa ndaj Serbisë.
Në debat pati shumë kritika edhe për politikën e BE-së ndaj Serbisë dhe për neglizhencën ndaj ndikimit të Rusisë në rajon. Disa deputetë bënë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.
Disa eurodeputetë madje kërkuan që Serbisë t’i ngrihen fondet derisa të kryhen hetimet. Ata e kritikuan BE-në për “përdorimin e një politike të butë” ndaj Serbisë, për trajtimin e Vuçiqit si “mik, duke i dhënë fonde dhe duke hezituar ta dënojnë pushtetin e tij.”