Pas pushimit dyjavor rikthehet BKT Superliga Të premtën, të shtunën dhe të dielën janë në program ndeshjet e javës 14-të të BKT Superligës së Kosovës, të cilat rikthehen për publikun e gjërë pas pauzës dyjavore, për shkak të garave kualifikuese të Kombëtareve në kontinentin e vjetër europian, shkruan Gazeta Enigma.
Të premten zhvillohet ndeshja mjaft interesante në mes të Prishtinës vendëse dhe Dukagjinit nga Klina, në “Fadil Vokrri”.
Vendësit i hyjnë takimit pas barazimit të xhiros kaluar (1:1) në Gjilan ndaj skuadrës së Ismet Munishit, ndërsa Dukagjini pritet t’i hyjë sfidës me optimizëm, pas fitores së fundit kundër Feronikelit në udhëtim, dhe dëshirës së madhe për të marrë rezultat të favorshëm pikërisht ndaj kryeqytetasve. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vet trajneri Dallku, i cili ka thënë se skuadra e tij udhëton për fitore në Prishtinë.
Në anën tjetër skuadrës vendëse, FC Prishtina, i duhet doemos kohë për t;u konsoliduar dhe adaptuar me trajnerin e ri të sapoemëruar, boshnjakun Abdullah Ibrakoviç, ndërsa rezultatin pozitiv e ka të rëndësisë jetike.
E shtuna padyshim se është dita e shumëpritur për pjesën më të madhe të klubeve dhe tifozërive të tyre në BKT Superligë pasi zhvillohen plotë tri ndeshje, të cilat pritet të jenë mjaft interesante, pasi secila është më e rëndësishme se tjetra.
Padyshim që spikasin takimet Ulpiana – Gjilani e Drita – Drenica, pasi të katër ekipet pritet të hyjnë në duel të mobilizuara maksimalisht për të dalë fitimtare dhe për të ruajtur vazhdimësinë e rezultateve positive të arritura si dhe pozitave përkatëse në tabelë. Edhe takimi që zhvillohet në Drenas në mes të Niklit e Malishevës të shtunën, do të ketë rëndësi të madhe për të dy ekipet, pasi rezultati pozitiv është imperativ dhe dëshirë e madhe e tyre.
Të dielën në Podujevë zhvillohet ndeshja e fundit e BKT Superligës së Kosovës në kuadër të javës 14-të, në mes të Llapit dhe Ballkanit. Vendësit e Batatines do të synojnë me çdo kusht të vijojnë me vazhdimësinë pozitive pas fitores së fundit minimale (0:1) kundër Malishevës në xhiron e kaluar, porse një gjë të tillë pritet ta kenë të vështirë ta realizojnë pasi edhe lideri në tabelë, pretendon të njejtën gjë, për të ruajtur bilancin pozitiv, por para së gjithash për të ruajtur diferencën e pikëve ndaj përcjellësve të parë, Gjilanit dhe Drites, por edhe ekipeve tjera që ndërkohë mund të shfaqen të rrezikshme për titull./Gazeta Enigma/.