Pas vështirësive vjen lehtësimi është një thënie dhe ajo thënie më së miri i përshtatet klubit të futbollit Gjilani.
Gjilanasit kanë pasur telashe të mëdha javëve të fundit pas largimit të presidentit Florim Zuka – Tali.
Sikur mos të mjaftonte kjo, Gjilanit iu kishte bllokuar merkato, pasi dy vëllezërit Keita Razak dhe Keita Aziz kishin fituar gjyqin në FIFA.
Interesim kishte nga të gjitha anët për ta blerë Gjilanin, por në fund dështonin negociatat.
Gazeta Enigma mëson se tani te Gjilani çdo gjë është rregulluar dhe se donatorë të rinj kanë marrë klubin në pronësi.
Bëhet fjalë për disa gjilanas që jetojnë dhe veprojnë në diasporë që i kanë shtrirë dorën klubit në momentet më të vështira.
Dy futbollistëve Keita Aziz dhe Keita Razak u është paguar borxhi dhe merkato tani është zhbllokuar.
Donatorët e rinj kanë riorganizuar klubin, teksa tanimë po negociohet me disa trajnerë kosovarë, ku njëri nga ta do ta marrë drejtimin e SC Gjilanit.
Gjatë ditëve të ardhshme pritet që Gjilani të përforcohet me disa futbollistë, pasi në radhët e veta ka disa talente të jashtëzakonshme.
Portieri Aridon Bllaca, Edison Kçiku, Redon Ismaili, Erlis Xhemaili dhe Oltion Bilalli i kanë qëndruar besnik klubit.
Të pesë futbollistët gjilanas pritet të kenë barrën kryesore në sezonin e ri, derisa në skuadër pritet të vijnë edhe disa përforcime.
Gjithsesi Gjilani me futbollistë të rinj pritet të jetë një skuadër simpatike në elitën e futbollit kosovar, por që do t’i shkaktojë probleme të mëdha klubeve të tjera, pasi në radhët e veta ka talentë të jashtëzakonshëm që ishin vërshuar nga ofertat gjatë këtyre ditëve.
Kujtojmë që ndeshja me Prishtinën është shtyrë për ditën e hënë dhe bardhekuqtë do të zbresin për herë të parë në fushë këtë sezon.
Vlen të theksohet se rol të jashtëzakonshëm në riorganizimin e klubit patën edhe tifozët ‘Skifterat’ që kanë bërë punë të mëdha duke ofruar donatorë te klubi i tyre i zemrës për mos të ardhur deri te më e keqja.
Gjithsesi klubi pritet që gjatë orëve të ardhshme ose më së largu ditën e nesërme (e enjte) të dalë me një komunikatë zyrtare.