Komisioni Hetimor Parlamentar për Energji ka ftuar për intervistim pranë këtij komisioni Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrin e Financave, Hekuran Murati, shkruan Gazeta Enigma.
Gjatë këtij takimi partitë opozitare kanë kërkuar qasje në dokumentacionet e nevojshme për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Rizvanolli do të intervistohet më 15 korrik, ndërsa Murati më 20 të po këtij muaji.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar anëtarin e Komisionit Hetimor për Energji, Ferat Shalën, i cili ka deklaruar se nga e premtja e kësaj jave do të fillojnë procesin e intervistimit me të ftuaren e parë ministren e zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli.
‘’Komisioni Parlamentar Hetimor për krizën Energjetike sot është duke zhvilluar aktivitetin në kushte normale dhe në agjendë tani kemi zhvillimin e procesit të ri të intervistimit, e ftuar e pare është ministrja e zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli’’, tha Shala për Enigmën.
Tutje ai ka shtuar se intervistimet do t’i vazhdojnë me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Sipas tij deri më tani ka pasur vonesa për shkak të grumbullimit të materialeve dhe disa procedurave tjera administrative.
‘’Ne do të vazhdojmë me intervista të trjera, deri në këtë fazë jemi vonuar për shkak të grumbullimit të materialeve dhe procedurave tjera administrative të kuvendit dhe të legjislativit për në përgjithësi, besoj se tash e tutje gjithçka do të shkoj me normalitet’’, ka deklaruar Shala.
‘’Pas ministres Rizvanolli do të jetë ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe pastaj për të tjerët do të bisedohet në komision’’, tha ai.
E në lidhje me numrin e dëshmitarëve të cilët do të intervistohen në Komisionin Hetimor për krizën Energjetike.
‘’Aktualisht nuk kemi biseduar për këtë çështje dhe në ditët vijim do të ju informojmë’’, ka përfunduar Shala.
Kujtojmë se të premten e 1 korrikut është votuar lista fillestare e dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022. /Gazeta Enigma/