Ministria e Ekonomisë ka dal me në njoftim në të cilin thuhet se vështirësitë e fundit në furnizimin me energji elektrike në disa zona të Kosovës, janë rezultat i mbingarkesës së sistemit elektro-energjetik, e jo nga mungesa e energjisë elektrike, shkruan Enigma.
“Me uljen e temperaturave dhe duke qenë në prag të fundvitit, konsumi i energjisë elektrike është rritur në rajon e në disa vende evropiane. Aktualisht, rrjeti i shpërndarjes dhe transmisionit ka arritur kapacitetin maksimal të shfrytëzimit (mbi 1400 MË gjatë ditës dhe mbrëmjes). Kjo mbingarkesë po rrezikon stabilitetin e sistemit dhe furnizimin e disa zonave, për shkak të prishjeve që shpesh ndodhin në mot të lig ose mungesës së kapaciteteve të lira alternative për furnizim. Në afat të shkurtër, këto probleme mund të adresohen vetëm duke ulur konsumin e energjisë elektrike, dhe duke sanuar problemet teknike në terren”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Në njoftim po ashtu thuhet se ekipet e KOSTT dhe KEDS po punojnë intensivisht në terren për të riparuar defektet teknike.
“Ndërkohë, ne dhe të gjithë akterët e sektorit të energjisë u bëjmë thirrje që të kontribuoni në sigurinë e furnizimit për vete dhe për të gjithë vendin duke racionalizuar konsumin e energjisë elektrike përgjatë kësaj jave kritike, dhe duke e zhvendosur konsumin pas mesnatës në masën që është e mundshme. Ju falemnderit për bashkëpunimin në tejkalimin e kësaj situate”, thuhet në njoftim.