Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i tha deputetit të AAK-së, Besnik Tahiri, se “fjalimi i juaj të paska mbetur i vitit të kaluar”.
Rizvanolli tha se strategjia e energjisë është sjell në kuvend në dhjetor, ndërsa është miratuar më 8 mars, teksa shtoi se shpenzimet kapitale s’janë veç asfal.
“Shpenzime kapitale janë edhe ato në eficiencë të energjisë që janë realizuar në nivel 9 milionë euro gjatë dy viteve të kaluara, e përmes të cilave janë rinovuar 70 shkolla, çerdhe, stacione zjarrfikësish, e ambulanta”.
“Investime kapitale janë edhe në sektorin e telekomunikacionit, sidomos në shekullin që po jetojmë. 7.7 milionë euro janë realizuar për të arritur rezultate impresionuese rekorde për Evropën. Kemi arritur që të mbulojmë të gjitha lokalitetet e banuara të Kosovës me internet brezgjerë për të arritur përqindjen më të lartë në top 5 shtetet në Evropë të përdorimit të internetit në 98.8 për qind”, është shprehur Rizvanolli.
Tutje, ajo tha se për sa i përket propozimit të LDK-së pr heqjen e TVSH-së, Rizvanolli tha se një gjë e tillë po rekomandohet në kohën kur qeveria e ka subvencionuar energjinë elektrike.