Të dielën në mesnatë ka ndodhur një rrahje masive në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku janë përfshirë dy grupe prej rreth 15 personave. Gjatë përleshjes që nisi për shkak të një rasti të vjedhjes që ishte përfshirë njëri nga të dyshuarit, janë përdorur mjete të forta e armë zjarri. Nëntë nga të dyshuarit kanë përfunduar në ndalim policor, kurse të tjerët në spital.
Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se personat që janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë Shefqet Kude, Përparim Xhemollari, Zenel Xhemollari (20-vjeçar), Zenel Xhemollari (68-vjeçar), Karafil Qengaj, Endrit Kastrati, Shpejtim Kastrati, Gzuar Kapllani dhe Burim Kapllani.
Por si ndodhi rasti? Gazeta Sinjali ka siguruar edhe pamje të momentit kur ka ndodhur kjo rrahje masive dhe detajet e përleshjes?
I dyshuari Shpejtim Kastrati, sipas informacioneve që ka Sinjali është ai që ka përdorur armën e zjarrit dhe për pasojë njëri nga të dyshuarit ka pësuar plagë, për çka është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sinjali mëson se personi që mbeti i lënduar nga arma është i dyshuari Liridon Kapllani, kurse personat e tjerë që janë përfshirë po ashtu në rast dhe janë lënduar janë Veprim Xhemollari, Qendrim Kapllani dhe Rrahim Kapllani. Kurse e dyshuara, Gonxhe Kapllani është liruar, për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, rrahja dyshohet se ka ndodhur për shkak të një rasti të vjedhjes, që dyshohet se e kishte kryer njëri nga të dyshuarit dhe ka çuar deri në konflikt mes palëve, incident ky përveç armës u përdorën edhe shufra metalike, boks hekuri e brisqe.
Të njëjtat burime thonë se me vendim të prokurorit hetimet për këtë rast kanë nisur në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë” dhe që të zbardhen rrethanat e ngjarjes.
Rasti për Sinjalin është konfirmuar dje edhe nga Policia Rajonale në Prizren.
“Në këtë rrahje janë të përfshirë 15 persona, ku dyshohet se janë përdorur një armë zjarri, mjete të mprehta si dhe është gjet edhe një shufër metalike. Më urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar 9 persona për 48 orë, ndërsa në Spitalin Rajonal të Prizrenit janë duke u trajtuar 3 persona kurse një person është duke u trajtuar në QKUK, pasi ka pësuar lëndime të rënda për shkak se është i plagosur me armë zjarri”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.