Rrahmani beson se fillimi i mbarë për të, nisë nga San Marino

Rrahmani beson se fillimi i mbarë për të, nisë nga San Marino

Natën e 19 korrikut dhe fushën e stadiumit “San Marino” në Serravalle, Albion Rrahmani do ta mbajë gjatë në mend. Sulmuesi i Ballkanit realizoi dy gola në fitoren e ekipit nga Suhareka në udhëtim te La Fiorita 4:0. Ndeshja ishte e vlefshme për rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. 21-vjeçari shënoi golin e dytë dhe të tretë për kampionin e Kosovës, duke u bërë ndër lojtarët më të rinj kosovar, që shënon në garat evropiane.

Ishte hera e parë që Rrahmani luajti titullar te Ballkani, në garat evropiane. Ndaj Zhalgirisit në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ai u paraqit si zëvendësues në minutat e fundit të ndeshjes. Ballkani u eliminua me rezultat të përgjithshëm 2:1 nga Championsi dhe garat tani po i vazhdon në Ligën e Konferencës.

“Golat, paraqitjen dhe sigurisht edhe stadiumin dhe vendin nuk do t’i harroj dhe do t’i kujtoj përherë. Ajo natë do të jetë e paharruar për mua”, ka thënë Rrahmani të mërkurën për Kohën.

Ai ndihet krenar, që ka shënuar dy herë në garat evropiane, për herë të parë në karrierën e tij. Por, thekson se më e rëndësishme ishte fitorja e Ballkanit.

“Jam shumë i lumtur, pasi kam shënuar për herë të parë në garat evropiane. Realizova dy gola dhe e ndihmova ekipin për ta arritur një fitore shumë të rëndësishme. Sigurisht, golat e mi kanë vlerë për mua, por më e rëndësishme ishte fitorja e Ballkanit, që u arrit falë angazhimit të gjithë lojtarëve. Të luash dhe të shënosh në këtë nivel, është kënaqësi e madhe”, tha Rrahmani.

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ia besoj Rrahmanit pozitën e qendërsulmuesit nga minuta e parë ndaj La Fioritas. Rrahmani thekson se e ka arsyetuar besimin e trajnerit. Por, ai pret që të ketë minuta edhe në ndeshjet e radhës.

“Mendoj që e kam arsyetuar besimin që më dha trajneri pasi realizova dy gola. E gjithë skuadra ka pasur paraqitje shumë të mirë. Trajneri po ma jep hapësirën dhe po beson tek unë. Besoj që do të vazhdoj edhe në të ardhmen besimin e trajnerit ta arsyetoj me paraqitje të mira”, shtoi Rrhmani, që beson që ky është një fillim i mbarë në karrierën e tij. “Të shënosh dy gola në këtë nivel dhe në këtë moshë besoj që është shumë pozitive. Shpresoj shumë që ky do të jetë një fillim i mbarë për mua”.

Sipas tij, fitorja e thellë në duelin e parë i ka dhënë motiv Ballkanit që të vazhdojë me ritëm të njëjtë edhe në ndeshjen e kthimit, që luhet javën tjetër. Rrahmani beson se me fitore edhe në ndeshjen e kthimit, kalimi i Ballkanit do të ishte më bindës.

“Ishte një ndeshje e kontrolluar nga ne. E kishim posedimin e topit, shënuan katër gola dhe gjithçka shkoi siç kishte planifikuar trajneri para ndeshjes. Kjo fitore e thellë na jep besim të madh që edhe në ndeshjen e kthimit të fitojmë dhe të kalojmë në raundin e tretë”, përfundoi Rrahmani.

Ai është pjesë e Ballkanit, që nga vera e vitit të kaluar kur iu bashkua nga Malisheva. Me Malishevën, Rrahmani ishte shpallur golashënuesi më i mirë në Ligë e Parë dhe e kishte siguruar inkuadrimin në Superligë. Ndeshja e kthimit ndërmjet Ballkanit dhe La Fioritas zhvillohet me 26 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 20:00. Skuadra, që kalon në rrethin e tretë, do të përballet me fituesin e duelit Sutjeska – Klaksvik. Dueli i parë mes këtyre ekipeve është mbyllur 0:0.

Related Articles