Mosmbikëqyrja prej Fondit të Sigurimit Shëndetësor, e trajtimit të pacientëve që dërgohen për shërim jashtë vendit, bën që familjeve t’u kërkohen para kesh e të mbesin pa zgjidhje në Turqi.Gjatë hulumtimit, KOHA ka intervistuar shumë familje që kanë përvoja të tilla. Thonë se u janë kërkuar para e janë mashtruar, sidomos nga punëtorët shqiptarë që kanë punësuar këto spitale shkaku i numrit të madh të pacientëve nga Kosova.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk ka asnjë mekanizëm që mbikëqyr trajtimin e pacientëve që dërgohen jashtë shtetit. Kjo bën që në Turqi ata të mbesin nën mëshirën e përkthyesve të punësuar nga spitalet, shkaku i numrit të lartë të pacientëve kosovarë.
Në këtë shtet, shpenzohet mbi 70 për qind e buxhetit vjetor të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, të dedikuar për trajtim jashtë vendit.
Shqipe Nikqit i vdiq djali vitin e kaluar në Spitalin Memorial në Turqi. Genti pati nevojë për transplantim të mëlçisë, por kur u dërgua në Turqi, gjendja e tij ishte e rënduar. Ai u mbajt në jetë për 2 javë, i lidhur për aparatura. FSSH-ja i kishte lëshuar fletëzotim financiar për trajtim, gjë që nënkuptonte që spitali nuk do t’i kërkonte para. Por, ajo rrëfen se një ditë para se t’i vdiste djali, përkthyesja shqiptare i kërkoi sërish para. Atë e shoqëronte një kosovar që i kishte ndihmuar familjes në mbledhjen e parave nëpërmjet apeleve publike.
“Mas 65 mijë eurove më kërkonin pare, me kanë thirrë bile prej hotelit që me ardhë aty se t’ka… Djali yt u hy për të treten javë, janë shkuar këto pare edhe djalit duhesh me i pagu apet pare, edhe unë e kam ba hesap… Kam dhanë 65 mijë, djali jem i bike 35 mijë, edhe ishin bo 2 javë prej që djali jem kish mbërri në Turki. Ata po, unë jo deri ja u qita me datë”, ka theksuar ajo.
Kur fletëzotimi financiar shkon nga Fondi, spitalet, sipas rrëfimeve të familjeve, s’i mbajnë të informuar për shpenzimet, gjë që bën shpesh që punonjësit aty të kërkojnë para shtesë.
Selma Dubova është përkthyese në këtë spital. Ajo është përmendur nga disa familje se u kishte kërkuar para shtesë, megjithëse posedonin fletëzotimin financiar të Fondit. Dubova është kontaktuar nëpërmjet një mesazhi, e më pas televizioni ka zhvilluar edhe bisedë telefonike me të. Për çështjet e tjera, ajo ka thënë që pyetjet t’i drejtohen spitalit, ndërsa për rastin e Gentit, fillimisht ka deklaruar që nuk është paguar fare, e më vonë ka dhënë tjetër përgjigje.
“Bisedova dhe drejtorati tha që nuk është paguar asnjë cent shtesë përpos Ministrisë, familjarët dhe pacienti nuk kanë paguar asnjë cent”, tha ajo.
Mungesa e mekanizmit institucional që kontrollon zinxhirin e trajtimit jashtë vendit bën që askush të mos e dijë se çka ndodh saktësisht në Fond. Të kontaktuar nga KOHA për këtë rast, në Fond kanë thënë se ende nuk është bërë pagesa, ndonëse nuk kanë treguar se sa ka ardhur fatura.
Rrëfime si të Shqipes, ka pothuajse secili prind, gjatë hulumtimit disa muajsh.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor kishte bërë fletëzotim financiar vitin e kaluar, në vlerë të 120 mijë eurove për një fëmijë 9-vjeçar, i diagnostikuar me leukemi. Vajza do të trajtohej në spitalin Medical Park, por sipas prindit, një përkthyese shqiptare vazhdimisht u kërkonte para kesh.
“Vjet e kam dërguar me aeroplan special. Prej aeroplanit kanë fillu me vjedhë deri kur u lshu”, ka thënë babai i saj.
Përkundër që Fondi i Trajtimit Shëndetësor ka marrë obligim që 100 për qind ta paguajë trajtimin e kësaj vajze, siç edhe obligohet ligjërisht, këtij prindi po i kërkohen edhe 30 mijë euro, që spitali pretendon që i ka borxh. Mënyrën se si ia kërkoi spitali borxhin e pretenduar, ai e përshkruan si bisedë pazari.
“Problemi që këto fletëzotime lëshohen shkel e shko. A po kupton se në pyetje është jeta, e tash për shembull çdo prind, nuk i interesojnë paret, por fëmija a po kupton. Tash kur të shkosh atje, atje t’i ndërrojnë krejt. Po krejt këta shqiptarët i bëjnë këto punë, nuk i bëjnë turqit”, ka thënë ai.
Ai ka treguar rastin e një nëne nga Peja, së cilës spitali ia kishte marrë pasaportën, megjithëse Fondi ia kishte mbuluar shpenzimet, pasi që ata llogarisnin edhe të tjera shpenzime.
Problemi i Programit për Trajtim Jashtë Vendit është i vjetër, porse i adresuar asnjëherë.
Ragip Gashi nga fshati Bardhosh, sfidat nëpër të cilat ka kaluar për trajtimin e djalit të tij, rreth një dekadë më parë. Ministria e Shëndetësisë asokohe e dërgoi për trajtim në një spital publik në Izmir. Por për t’ia kryer transplantin, më pas spitali ia kërkoi 130 mijë euro.
“Tash si person unë nuk e kam ditë çka është leukemia, por prej që me ka ndodhë mua, ishalla nuk nij për asnjë rast, por për në Turqi unë nuk i dijë të tjerat spitale, por për Izmir nuk i kisha thanë asnjë personi me shku. Po foli aty ku kam qenë unë”, ka thënë Gashi.
Barnat e shpenzimet e tjera në spital i kishte mbuluar vetë. Ishte detyruar të shesë bagëtinë, por edhe e kishin ndihmuar familjarët.
“Unë ju thojsha nuk i kemi ato pare me i paguar, ai thojke njerëzia i shesin pronat, i shesin shpijat për me u kry kjo. Po unë me të thanë të drejtën jam shku nga ajo që ministria i ka kry ato krejt, se unë me ditë që me kish ndodhë ajo s’isha nisë”, ka shtuar ai.
Gashi u kthye në Kosovë pa u kryer transplantimi. Nëpërmjet familjarëve, gjeti donatorin e palcës kurrizore në Gjermani. Po ashtu, paratë për trajtimin e djalit u mblodhën në Gjermani nga persona të ndryshëm. Djali i tij sot jeton e punon atje, e njërit nga donatorët financiarë të trajtimit të tij, familjes së Ragipit ia financoi blerjen e truallit e ndërtimin e shtëpisë.