Rriten rastet me kancer të gjirit në Kosovë, kontrolli i hershëm shpëton jetë

Rriten rastet me kancer të gjirit në Kosovë, kontrolli i hershëm shpëton jetë


Muaji tetor ose “Muaji rozë”, siç njihet në botë, është muaji në të cilin zhvillohen aktivitete të ndryshme të cilat kanë për qëllim promovimin dhe edukimin shëndetësor me synim të parandalimit dhe trajtimin e hershëm të kancerit të gjirit, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë prej sëmundjeve kanceroze te gratë.

Njëkohësisht sipas studimeve, kanceri, është shkaktari më i shpeshtë i vdekjes te gratë e moshës 45-55 vjeç.

Kanceri i gjirit është një kancer i cili fillon në indet e gjirit. Bëhet fjalë për një sëmundje e cila godet thuajse “ekskluzivisht” gratë, por në raste më të rralla edhe burrat.

Drejtor i Klinikës së Onkologjisë në Q.K.U.K, Ilir Kurtishi

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Q.K.U.K, Ilir Kurtishi, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, ka thënë se kjo sëmundje vazhdon të jetë prezente edhe në Kosovë, ku nga viti në vit kemi rritje të rasteve.

“Deri muajin Shtator në Klinikën e Onkologjisë, në të dy sherbimet, Kemioterapi dhe Radioterapi, janë kryer mbi 175mijë sherbime!”, tha Kurtishi.

Tutje ai ka shtuar se “335 raste me Kancer të Gjirit janë regjistruar në Klinikën e Onkologjisë deri në Tetor të këtij viti, nga të cilet 3 janë burra, ndërsa në total janë regjistruar mbi 1mijë 530 raste me kancer të tumoreve solid te të rriturit!”.

Poashtu në Klinikën e Onkologjis, janë të administruara mbi 23mijë doza të kemioterapisë intravenoze dhe mbi 21mijë seanca të rrezatimit janë realizuar”.

Sipas Kurtishit misioni i kësaj klinike është që listat e pritje për kemioterapi dhe radiologji të jenë zero.

“Shërbime edhe më cilësore, dhe vazhdimi i mbajtjes zero të listave të pritjes në Sherbimin e Kemioterapisë dhe Radioterapisë”, ka përfunduar Kurteshi.

E tash e tutje mamografia do të ofrohet falas në çdo kohë në Kosovë.

“Në trajtimin e kësaj sëmundjeje, Qeveria jonë ka ofruar mbështetje të pakursyer. Brenda këtij muaji pritet të hyjë në fuqi rregullorja e re për çmimet e shërbimeve shëndetësore, ku mamografia do të ofrohet falas në çdo kohë. Ky vendim do të vijë në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit”, theksoi kryeministri Albin Kurti.

Disa nga simptomat e para të kësaj sëmundje janë:

– Rritja e ndjeshmërisë së thithave

Ju mund të ndieni disa ndryshime në nivelin e gjirit dhe në këtë rast thithat, të cilat bëhen më të ndjeshme se normalja.

– Ndieni një gungë apo një gjëndër

Në rast se me vetëprekjen ju ndodh të ndieni një gjëndër apo madje edhe një fryrje pranë sqetullës, mos u frikësoni, por kini parasysh se është kambanë alarmi që nuk duhet nënvlerësuar, përkundrazi kërkoni kontroll të menjëhershëm te një specialist.

– Lëkurë si lëvozhgë portokalli

Mund të ndodhë që lëkura e gjirit ose e thithave të duket e fryrë, e kuqe ose si lëvozhgë portokalli. Por gjithashtu është e mundur që edhe forma dhe përmasat të ndryshojnë, për shembull thithat mund të futen brenda. Edhe në këtë rast duhet të shkoni sa më parë te mjeku.

– Gjoks i fryrë

Nuk ke dhimbje, por evidenton se gjoksi është rritur dhe fryrë, madje kjo fryrje nuk është e përgjithshme, por në një zonë të caktuar. Në çdo rast, bëhet fjalë sërish për një simptomë që nuk duhet nënvlerësuar në asnjë mënyrë.

– Tkurrja e gjirit

Gjoksi ka tendencë të tkurret derisa edhe të zhduket pothuajse tërësisht, ndërsa vendin e tij e zë një ind yndyror, i cili e bën prekjen e zonës ku ai ishte më të lehtë, sepse është i butë dhe homogjen. Ky është një problem i cili shfaqet kryesisht pas menopauzës.

– E kruara

E kruara e gjinjëve dhe dëshira për ta hequr këtë bezdisje është e vështirë për ta mbajtur nën kontroll, ndërsa kjo ndodh qoftë te njëri gji qoftë te të dy bashkë. Bëhet fjalë për një shqetësim që mund të jetë një simptomë e të dy llojeve të kancerit të gjirit: karcinoma ductal dhe karcinoma lobulare.

Statistikat e hulumtimeve shkencore tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 femra, mirëpo mund të paraqitet edhe te meshkujt me shkallë më të ulët të rrezikut 1 në 100 raste.

Thelbësore për të shpëtuar nga kjo sëmundje është parandalimi dhe zbulimi që në kohë të hershme. Gjithmonë është e nevojshme të bëni kontrolle te mjeku juaj më i besuar, por një vetekzaminim ndihmon për të njohur më mirë trupin tuaj, por edhe simptomat. /Gazeta Enigma/

Related Articles