Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me rritjen e rasteve dhe menaxhimin e pandemisë nga Qeveria e Kosovës kundrejt COVID.
Deputeti i kësaj partie, njëherësh anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj, në një konferencë për media, tha se për tejkalimin e gjendjes nevojitet shtimi i vaksinimit për shkak se varianti omicron është më tepër ngjitës se llojet e tjera të coronavirusit.
“Shqetësues është fakti që ne sot i kemi 7 mijë e200 raste aktive që pritet 1 deri në 10 për qind të kenë nevojë për trajtim spitalor, pra nëse një trend i tillë i përkeqësimit të gjendjes vazhdon brenda 10 ditësh kapacitetet trajtuese të vendit do të jenë të stërmbushur. Ju për kujtoj që raport i infeksionit te varianti i ri omicron është prej 1 me 6 deri te 1 me 8 dhe kjo shifër është brengosëse nëse nuk respektohen masat e parandalimit ato standardet”.
“Mendoj që është koha që të kalohet nga fjalët në vepra, duhet të kërkohet në mënyrë urgjente që masa e parandalimit të kërkohen të implementohen nga ana e Inspektoratit të Shëndetësisë, duhet sa më parë me të gjitha masat e mundshme të bëhet promovimi i sigurisë së dhënies së vaksinës. Sot i kemi vetëm 5 mijë e 300 doza të vaksinës të ordinuara në nivel vendi ndërsa kapaciteti dihet që është deri në 20 mijë doza në ditë”, ka potencuar ai.
Dreshaj shtoi se ekzekutivi duhet të merret me zgjidhjen e problemeve urgjente me të cilat përballet vendi dhe jo të merret me çështje sekondare.
“Ka kohë që kemi promovuar vaksinimin e obliguar për kategoritë e punëtorëve në sektorin publik, gjë që nuk është bërë… Krejt kjo vjen si implementim me brengën tonë lidhur me mos implementimin e bartjes së maskës, dezinfektimit të duarve dhe mbajtjes së distances”
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në konsultimet që kemi bërë me grupet e ekspertëve, nuk jemi për lock down, nuk sjell përmirësim lock down, pra mbyllja e plotë. Ne jemi për respektimin e masave standarde që të mos përkeqësohet situata në vend. Kjo Qeveri duhet të kthehet nga problemi kryesor që është menaxhimi i mirë i pandemisë, i ekonomisë, ruajta e substancës brenda vendit, kjo qeveri dihet të kthejë dinjitetin punëtorit shëndetësorë, duhet të aprovojë Ligjin e Pagave, dhe të mos merret me punët e tjera anësore që nuk i ndihmojnë situatës”, tha ai
Deputetja e AAK-së Time Kadrija ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për mos furnizim të spitaleve me barna, madje as ato kundërCOVID-19, që kapin kosto të lartë.
“Ne sot zyrtarisht e kemi një shifër me 2050 raste, por besoni që mund të ndodhë që kjo shifër të jetë deri në 10 mijë raste, sepse njerëzit po testohen, por nuk po lajmërohen. Unë mendoj që kjo qeveri dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të merren seriozisht me menaxhimin e pandemisë, sepse kështu nuk do të kemi kapacitete spitalore për spitalizimin njerëzve me pandemic”.
“Ka një kohë të gjatë që kjo qeveri dhe MSH nuk i ka furnizuar institucionet spitalore në nivel primar dhe sekondar me barna esenciale dhe të mos flasim për barnat që janë për trajtimin e COVID-19 që kanë një kosto mjaft të lartë”, ka thënë ajo.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë shënuar 2 mijë e 50 raste të reja me COVID-19, ndërsa janë dhënë 5.348 doza të vaksinës. /Gazeta Enigma/.