James Rubin, përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit thotë se qëndrimi i SHBA-së për UÇK-në ka evoluar ndër vite.
Në ditët e para, kujton ai, SHBA-ja i ka dënuar “aktivitetet terroriste të kryera nga grupet shqiptare”, por me evoluimin e procesit të paqes, thotë se UÇK-ja është bërë qendër e atij procesi.
“Pra, UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar prej tyre. Dhe, siç më thanë në atë kohë, nëse ne i zbatonim premtimet tona për ta përdorur fuqinë ushtarake në emër të tyre, ata do t’i zbatonin premtimet e tyre. Ata i zbatuan premtimet e tyre për t’u çmilitarizuar dhe kanë qenë duke punuar ngushtë me KFOR-in dhe me përfaqësuesit zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu për shumë e shumë vite”, tha Rubin në një intervistë për REL-in.
“Mendoj se është e drejtë të thuhet se ajo marrëdhënie ishte ajo që u mundësoi shqiptarëve ta shmangnin atë që do të ishte një masakër e madhe në këtë pjesë të botës. Kështu që, unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës është diçka që unë do ta mbështesja. Natyrisht, ka gjëra që janë bërë”
“Por, le të jemi qartë, kërcënimi erdhi nga forcat ushtarake serbe, kërcënimi i masakrimit masiv erdhi nga forcat ushtarake serbe”, tha Rubin.
Sipas tij, UÇK-ja me gjasë kishte probleme që u ekzaminuan dhe u panë që nuk ishin të përsosura.
“Por, nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë për këtë temë”, shtoi ai.