Rusia u ka paraqitur Shteteve të Bashkuara një listë me kërkesa në mënyrë që të bëhet marrëveshja për përfundimin e luftës kundër Ukrainës dhe që të rivendosen marrëdhëniet me Uashingtonin.
Të paktën kështu thonë dy personave të afërt me çështjen.
Nuk është e qartë se çfarë ka përfshirë saktësisht Moska në këtë listë ose nëse Rusia është e gatshme për t’u përfshirë në bisedime të paqes me Ukrainën para pranimit të këtyre kërkesave.
Zyrtarë amerikanë e rusë i diskutuan kushtet gjatë bisedave fizike e virtuale gjatë tri javëve të fundit, thanë dy burimet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, transmeton Gazeta Enigma.
Ata i përshkruan kushtet e Kremlinit si të gjera dhe të ngjashme me kërkesat që Rusia ua ka paraqitur më parë Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.
Në kushtet e paraqitura më herët përfshihej kundërshtimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO, një marrëveshje për të mos dislokuar ushtarë të huaj në Ukrainë dhe njohja ndërkombëtare e pretendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, se Krimea dhe katër provinca të Ukrainës i përkasin Rusisë.
Ambasada ruse në Uashington dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Në anën tjetër presidenti amerikan, Donald Trump, është duke pritur lajm nga Putini nëse ai do të pajtohet me një propozim për armëpushim 30-ditor.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të martën se ai do ta pranonte propozimin si hap i parë drejt bisedimeve të paqes.
Zotimi i Putinit ndaj një marrëveshjeve të mundshme armëpushimi është ende i paqartë, përderisa hollësitë akoma nuk janë finalizuar.
Disa zyrtarë amerikanë, ligjvënës e ekspertë kanë frikë se Putini do ta shfrytëzonte armëpushimin me Ukrainën për ta intensifikuar atë që ata e quajnë përpjekje për t’i përçarë ShBA-në, Ukrainën dhe Evropën dhe për t’i minuar bisedimet e mundshme.
Në Kiev, presidenti Volodymyr Zelensky e vlerësoi lart takimin e kësaj jave në Arabinë Saudite mes zyrtarëve amerikanë e ukrainas, duke e cilësuar konstruktiv dhe tha se një armëpushim i mundshëm 30-ditor me Rusinë do të mund të përdorej për hartimin e një marrëveshjeje më të gjerë të paqes.
Moska i ka ngritur shumë prej kërkesave të njëjta gjatë dy dekadave të fundit dhe disa prej tyre e kanë gjetur rrugën drejt bisedimeve formale me ShBA-në dhe Evropën. /Gazeta Enigma