Sa para deri më tani u derdhën nga buxheti i Kosovës për veriun?

Sa para deri më tani u derdhën nga buxheti i Kosovës për veriun?

Vetëm në vitin 2022 shpenzimet për energjinë elektrike në veriun e Kosovës parashihen të jenë diku rreth 40 milionë euro.

Ky vendim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kundërshtua fuqishëm nga opozita. Ndërsa ekzekutivi, 40 milionët i arsyetoi duke njoftuar se po ndahen në mënyrë që të vazhdohet marrëveshja me ENTSO-E, Rrjetin Evropian të Transmisionit dhe Tregut, dhe të respektohen obligimet që dalin nga kjo marrëveshje.

LEXO EDHE: 40 milionë për pagesën e rrymës në Veri – “Kurti s’di t’i thotë jo asnjë kërkese të Serbisë”

“Ndërmarrja KOST po kalon nëpër vështirshi financiare për shkak të obligimeve që ka ndaj ENTSO-së në mënyrë që të vazhdohet të jemi në të njëjtin bllok rregullues dhe të zbatohet marrëveshja që ka qenë për dy vite dhe tani është koha që të vazhdohet. Kërkesa ka qenë për mbështetej të ndërmarrjeve publike, aprovohet ndarja e 40 milion eurove”, tha ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ndërsa, në vitin 2021 kostoja fillestare prej 11 milionë eurosh ishte rritur në 17.7 milionë euro. Kështu pati bërë të ditur Ministria e Ekonomisë.

“Pas rekomandimeve të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës në muajin maj 2021 përmes së cilës KOSTT është autorizuar për shfrytëzimin e buxhetit vetanak për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, KOSTT ka ndarë buxhet në vlerë të përgjithshme prej 17.7 milionë euro për mbulimin e humbjeve për veriun deri më 31 dhjetor 2021”, ka thënë Zana Bajrami-Rama, menaxhere për komunikim në KOSTT.

Edhe në vitin 2020, shuma që qeveria pati ndarë për shpenzime ishte kogja e lartë.

Qeveria e Kosovës pati konfirmuar të ketë ndarë 10 milionë euro për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike të qytetarëve serbë të veriut.

Viteve të fundit kjo kosto vetëm se shkoi duke u rritur, derisa në vitin 2018 Qeveria e Kosovës pati ndarë vetëm 1 milion euro për shpenzime të energjisë elektrike në veri.

Ndërsa, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj pati thënë se KOSTT rrezikon të përjashtohet nga organizatat evropiane.

“Jemi në pritje të përmbylljes së marrëveshjes për konektivitetin edhe për regjistrimin e operatoreve në veri edhe për filmin e pagesave të qytetarëve në veri, mirëpo kanë ndodhur devijime të shumta, pra mungesa në rrejt edhe KOSTT-i është i rrezikuar për përjashtime në mënyrë ë ta sanojmë një proces të tillë jam i detyrum të ndërhymë, është një vendim i përkohshëm por si i tillë e ruan funksionalitetin tonë të rrjetit tonë dhe na mundëson me mbet në tavolinë për të fituar të drejtën tonë si operator në rrjetin e operatorëve në transmisionit në Evropë”, tha Haradinaj.

Kujtojmë që banorët e katër komunave në veri të Kosovës, që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës nuk kanë paguar faturat e shpenzuar të energjisë elektrike, kurse këto borxhe deri në fund të vitit 2017 janë faturuar qytetarëve nga viset tjera të Kosovës.

Pas një vendimi të Gjykatës se Apelit të Kosovës më 2017 për të hequr koston e furnizimit të veriut nga faturat e energjisë elektrike të konsumatorët e pjesëve tjera, KOSTT-i është ballafaquar vazhdimisht me mungesë të mjeteve financiare shkaku i kësaj çështje.

Ky problem ndërlidhet edhe me moszbatimin e marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, i cili parashihte pavarësimin e KOSTT-it nga Operatori i Sistemit të Serbisë (EMS) – në mënyrë që të dy këta operatorë të transmisionit të fillojnë operimin si dy zona rregulluese të pavarura.

Moszbatimi i marrëveshjes nga pala serbe (EMS) detyronte KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve për furnizim me energji elektrike në komunat veriore të Kosovës, në mënyrë që ky problem të mos vazhdonte të shkaktonte devijime ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E).

Ndërsa, vlen të theksohet se sipas të dhënave zyrtare, që nga përfundimi i luftës, janë rreth 140 milionë euro, që qytetarët e këtyre pjesëve kanë shpenzuar, kurse këtë vlerë e kanë paguar konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës. /Gazeta Enigma/.

Related Articles